Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka mohuar raportimet se Qeveria ia ka hequr statusin e dëshmorit Ahmet Krasniqit, Fehmi Aganit, Enver Malokut, Bajram Kelmendit dhe personaliteteve të tjera.
Ai tha se as Ministria dhe as Qeveria nuk kanë marrë asnjë vendim të tillë.
“Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit e ka përfunduar punën para shumë vitesh dhe nuk ekziston më si mekanizëm funksional. Të gjithë personat e përmendur vazhdojnë ta kenë statusin e dëshmorit dhe gëzojnë të drejtat pensionale sipas legjislacionit në fuqi. Asnjërit prej tyre nuk i është hequr statusi apo e drejta në pension!”.
“Skandaloze është përpjekja që, përmes ‘titujve bombastikë’ dhe teksteve tendencioze, të krijohet bindja se institucionet kanë marrë vendime që nuk ekzistojnë. Ky nuk është gazetari, as raportim dhe as informim. Ky është dezinformim dhe manipulim i rëndë i opinionit publik! Po aq e papranueshme është që mediat që kanë publikuar dhe shpërndarë këto pretendime nuk e kanë marrë as mundin më të vogël që, para publikimit, të kërkojnë një sqarim nga Ministria. Verifikimi i informacionit dhe marrja e qëndrimit të palës përkatëse janë përgjegjësi themelore të gazetarisë, sidomos kur bëhet fjalë për çështje kaq të ndjeshme për familjet e dëshmorëve dhe opinionin publik”.















