Zvezdanoviq, i cili kaloi 20 vjet në BIA, vlerësoi në një bisedë për N1 se Banjska paraqiste “një tradhti klasike të interesave shtetërore dhe kombëtare të qytetarëve të Serbisë në veri të Kosovës”, duke pohuar se aksioni i armatosur i mundësoi Vuçiqit një mbijetesë afatgjatë në pushtet dhe në të njëjtën kohë hapi rrugën për zbatimin e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë.
Sipas vlerësimit të tij politik, Vuçiqi falë politikës ndaj Kosovës u bë “një partner i besueshëm i bashkësisë ndërkombëtare, gjë që i mundësoi dominimin politik në Serbi dhe kontrollin mbi skenën politike vendase”.
“Besoj se Banjska i siguroi atij mbijetesë afatgjatë në pushtet,” tha Zvezdanoviq, duke shtuar se rënia e tendës në stacionin hekurudhor në Novi Sad dhe vala e protestave që pasoi ndryshuan dinamikën politike në Serbi dhe vunë në pikëpyetje marrëdhëniet e deritashme mes autoriteteve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Zvezdanoviq i lidhi ngjarjet në Banjskë me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të pranuar në Bruksel në shkurt 2023, dhe aneksin e saj të zbatimit nga Ohri.
Ai konsideron se aksioni i armatosur shërbeu si mekanizëm për zbatimin e marrëveshjes, përfshirë largimin e institucioneve të mbetura që funksiononin sipas sistemit serb nga veriu i Kosovës.
“Kjo marrëveshje nënkuptonte largimin e të gjitha institucioneve të shtetit të Serbisë nga veriu i Kosovës. Banjska ishte justifikimi, përkatësisht mekanizmi përmes të cilit ndodhi shpërngulja e institucioneve,” tha ish-inspektori i BIA-s.
Zvezdanoviq foli rreth rolit të mundshëm të shërbimit të sigurisë serbe në sulmin terrorist në Banjskë.
“BIA kishte një rol shumë të rëndësishëm. BIA me siguri e dinte këtë, ajo duhej ta dinte,” tha ai, duke u bërë thirrje institucioneve kompetente që të përcaktojnë nëse bëhet fjalë vetëm për një lëshim për të parandaluar aksionin, apo nëse aparati i sigurisë eventualisht ka marrë pjesë edhe në organizimin e tij.
Zvezdanoviq deklaroi se lidhjet e BIA-s me Milan Radoiçiqin, i cili mori përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur në Banjskë, ishin “të fuqishme”, por theksoi se u takon institucioneve të përcaktojnë natyrën e atyre marrëdhënieve dhe përgjegjësinë e mundshme të shërbimit.
Radoiçiqi, kujtojmë, pas konfliktit pretendoi se e kishte organizuar vetë aksionin, pa dijeninë apo ndihmën e strukturave shtetërore të Serbisë.
Prokuroria Speciale e Kosovës në shtator 2024 ngriti aktakuzë kundër tij dhe 44 personave të tjerë për ngjarjet në Banjskë.
Në sulmin në Banjskë më 24 shtator 2023, u vra pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Deklarimet e tij hapin sërish pyetjen e përgjegjësisë së kreut politik të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe strukturave të sigurisë për ngjarjet në Kosovë.
Zvezdanoviq, në të njëjtën bisedë ngriti gjithashtu pretendime për probleme serioze brenda BIA-s, duke përfshirë komprometimin e një pjese të madhe të pjesëtarëve të saj dhe përgjegjësinë e udhëheqjes për mbikëqyrjen e qytetarëve./The Geopost














