Izraeli dhe Hamasi kanë arritur marrëveshje për armëpushim dhe kthim të pengjeve.
Si rezultat, tashmë fundi i luftës po shihet në horizont.
Izraeli dhe Hamasi e kanë arritur një marrëveshje të shumëpritur të mërkurën vonë për armëpushim dhe për lirimin e pengjeve – që është faza e parë e planit të presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Gazë, e cila ka vrarë mbi 67.000 njerëz dhe ka ndryshuar Lindjen e Mesme.
Vetëm një ditë pas përvjetorit të dytë të sulmit vdekjeprurës të Hamasit – grupit palestinez të shpallur terrorist nga SHBA dhe vende të tjera – i cili e nxiti luftën shkatërruese në Gazë, bisedimet e tërthorta në Egjipt sollën një marrëveshje për fazën fillestare të planit 20-pikësh të Trumpit për të sjellë paqe në enklavën palestineze.
Donald Trump e bëri njoftimin në platformën Truth Social, ku shkroi:
“Jam shumë krenar të njoftoj se Izraeli dhe Hamasi kanë nënshkruar fazën e parë të Planit tonë të Paqes. Kjo do të thotë se TË GJITHË pengjet do të lirohen shumë shpejt dhe Izraeli do të tërheqë trupat e tij në një vijë të rënë dakord, si hapi i parë drejt një Paqe të Fortë, të Qëndrueshme dhe të Përhershme. Të gjitha palët do të trajtohen me drejtësi! Kjo është një DITË E MADHE për Botën Arabe dhe Myslimane, Izraelin, të gjitha vendet fqinje dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Falënderojmë ndërmjetësit nga Katar, Egjypti dhe Turqia, të cilët punuan me ne për ta bërë këtë ngjarje historike dhe të paprecedentë të mundur. Lum ata që sjellin paqe!”, tha ai.
Duke folur, Trump tha se pret që pengjet të lirohen të hënën. Ai nuk dha hollësi nëse do të udhëtojë në rajon, megjithëse Benjamin Netanyahu e ka ftuar të mbajë një fjalim në parlamentin izraelit të dielën.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e quajti marrëveshjen një “sukses diplomatik dhe fitore kombëtare e morale” për vendin e tij. Hamasi falënderoi Trumpin dhe të gjithë ndërmjetësit e përfshirë: Katar, Egjypti dhe Turqia.
Familjet e pengjeve izraelite të mbajtura në Gaza dhe ata që janë liruar më herët nga Hamasi festuan lajmin. Edhe palestinezët në Gaza e festuan me kujdes, me shpresën se kjo marrëveshje mund të sjellë fundin e luftës izraelite në territor.
Presidenti Donald Trump deklaroi se pengjet pritet të lirohen të hënën. Megjithatë, njoftimi i tij nuk i trajtoi disa pika të ndjeshme të marrëveshjes, si çarmatimi i Hamasit dhe e ardhmja e qeverisjes në Gaza.













