Mauricio Pochettino është gjithnjë e më pranë emërimit si trajner i ri i Manchester Unitedit.
Sipas raportimeve të mediave angleze, klubi nga Old Trafford ka arritur një marrëveshje në parim me trajnerin argjentinas, i cili aktualisht drejton Përfaqësuesen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pochettino pritet të marrë drejtimin e “Djajve të Kuq” në rast se drejtuesit e klubit vendosin ta shkarkojnë Michael Carrickun, pas rezultateve zhgënjyese në fillim të këtij sezoni, shkruan Indeksonline.
Sipas Sky Sports, drejtuesit e Unitedit, Omar Berrada dhe Jason Wilcox, do të takohen me bashkëpronarin Jim Ratcliffe në Monako për të vendosur përfundimisht mbi të ardhmen e Carrickut.
Një pengesë e mundshme për transferimin e trajnerit argjentinas është kontrata e tij me Federatën Amerikane të Futbollit, e cila është e vlefshme deri në vitin 2030. Megjithatë, ajo përmban një klauzolë largimi prej rreth shtatë milionë funteve, shumë që Manchester United është i gatshëm ta paguajë.
Pochettino ka përvojë të madhe në futbollin anglez, pasi ka drejtuar më parë Southamptonin, Tottenhamin dhe Chelsean. Arritjen më të madhe në Angli e pati me Tottenhamin, të cilin e dërgoi deri në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2019.
Ndërkohë, Manchester United po kalon një fillim shumë të dobët të sezonit, duke u renditur në zonën e rënies nga Premier League, me vetëm një fitore në 10 ndeshjet e para kampionale.













