Figura të Lidhjes Demokratike të Kosovës prej javësh kanë folur se ka një afrim në mes të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Në këtë kontekst në LDK po e shohin edhe lëvizjen e fundit e kryetarit të PDK-së, Memli Kransiqi, i cili ka qenë i vetmi nga partitë opozitare që i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit Albin Kurti për darkë.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se darka e thirrur nga Kurti është një përpjekjeje për të shpëtuar veten përmes instrumentalizimit të opozitës dhe ,sipas tij, Kurti tashmë e ka instrumentalizuar kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin.
Gjithashtu Abdixhiku ka aluduar se kreu i PDK-së, Memli Krasniqi dhe kryeministri Albin Kurti ishin marrë vesh paraprakisht dhe se LDK-ja s’bëhet pjesë e darkave të tilla që janë rezultat i marrëveshjeve të parapërgatitura.
Por cilat janë gjasat për një bashkëqeverisje në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës në të ardhmen?
Zëvendësja e kryeministrit Kurti në qeverinë e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, e cila drejton partinë e vogël “GUXO” , s’ka përjashtuar një koalicion në të ardhmen me partinë e themeluar nga Hashim Thaçi.
Gërvalla në një intervistë për Syri Tv në Tiranë, bashkëqeverisja “në rast ekstrem” mund të ndodh nëse PDK-ja do të pastrohet nga figurat e korrupsionit. Bashkëkryetarja e “Guxo” thotë se nuk pret që kjo të ndodhë në mandatin e ardhshëm.
“Ju po ja shtoni një supozimi për të cilin nuk mendoj që ka për të ndodhur. Të flasim për realitetin. Në rastin ekstrem, që nuk pres të ndodhë në mandatin e ardhshëm, nëse PDK-ja apo cila parti tjetër në Kosovë, do të ishte çliruar apo ndarë nga radhët e saj nga njerëz që edhe sot janë aty dhe që e përfaqësojnë krimin dhe korrupsionin që e kanë zhvatur shtetin e Kosovës dhe që janë pasuruar pafundësisht në kurriz të qytetarëve, atëherë nuk do të shihja asnjë pengesë. Por nuk e shoh këtë mundësi”, ka thënë Gërvalla në TV Syri.
Partitë politike në Kosovë janë duke kërkuar shkuarjen në zgjedhje të reja. Megjithatë ende s’ka pajtim mes tyre dhe qeverisë për rrugën drejt zgjedhjeve. Opozita kërkon dorëheqjen e Kurtit, shpërndarjen e Kuvendit dhe caktimin e datës së zgjedhjeve, megjithatë Kurti ka sfiduar partitë opozitare që t’i mbledhin votat për rrëzimin e tij në Kuvend.
Kurti është në pushtet bashkë me partinë “GUXO” të themeluar nga Vjosa Osmani që nga 14 shkurti 2021, pas fitores së tij me mbi 50 % të numrit të përgjithshëm të votave.













