Komuna e Prishtinës ka ndarë mbi një milion euro për ndërtimin e rrugës “Holger Pedersen”, projekt që do të realizohet nga një konsorcium në të cilin bëjnë pjesë kompanitë “EURO CONSTRUCTION NNP” SH.P.K. dhe “DOMID” SH.P.K. Njëra nga kompanitë e këtij grupi operatorësh ekonomikë është themeluar nga Bislim Morina, ish-zyrtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), parti që udhëheq kryeqytetin. Ky konsorcium kishte fituar edhe kontrata të tjera për projekte infrastrukturore në Prishtinë.
Projekti “Ndërtimi i rrugës Holger Pedersen (pjesa e parë)” ka një vlerë të parashikuar prej 1 milion e 50 mijë eurosh.
Sipas të dhënave të prokurimit, kontrata i është dhënë grupit të operatorëve ekonomikë të përbërë nga “EURO CONSTRUCTION NNP” SH.P.K. dhe “DOMID” SH.P.K., në vlerë prej 1 milion e 39 mijë eurosh.

Investimi është planifikuar të realizohet përgjatë tri viteve. Për vitin 2026 janë ndarë 200 mijë euro, për vitin 2027 janë paraparë 350 mijë euro, ndërsa për vitin 2028 janë planifikuar edhe 500 mijë euro.
Dosja e tenderit përcakton disa kritere për operatorët ekonomikë. Afati më i shkurtër i realizimit, brenda intervalit të përcaktuar prej 90 deri në 120 ditësh kalendarike, përbën 20 për qind të pikëve, ndërsa periudha më e gjatë e garancisë, nga tri deri në pesë vjet, përbën 20 për qind të tjera.
Përveç kritereve të vlerësimit, dosja parasheh edhe kërkesa financiare dhe profesionale për kompanitë pjesëmarrëse.
Projekti i ri për EURO CONSTRUCTION NNP” SH.P.K vjen pas kontratave të tjera që i njëjti konsorcium ka fituar nga Komuna e Prishtinës për realizimin e projekteve infrastrukturore në kryeqytet.
Tenderët e mëparshëm në Prishtinë
Gazeta Insajderi ka raportuar më parë për kontrata të tjera publike në kryeqytet, në të cilat fitues ishte shpallur i njëjti grup operatorësh ekonomikë.
Njëra prej tyre është kontrata për projektin “Ndërtimi i rrugëve në Bardhosh–Bërnicë”, me vlerë prej 244 mijë e 896 eurosh, ku fitues ishte shpallur konsorciumi i përbërë nga “EURO CONSTRUCTION NNP” SH.P.K. dhe “DOMID” SH.P.K.
Ky grup operatorësh ekonomikë ishte përfshirë në procedurën për “Ndërtimin e rrugëve në lagjen Taslixhe”, tender që pas ritenderimit kishte kapur vlerën e afro 400 mijë eurove.
Njoftimet për dhënien e këtyre dy kontratave nga Komuna e Prishtinës ishin publikuar më 1 janar 2026.
Po ashtu, në vitin 2024, Përparim Rama i dha konsorciumit ku bën pjesë kompania “EURO CONSTRUCTION” edhe tenderin 6.5 milionë euro për ndërtimin e “ishullit urban” në Prishtinë. Kontrata, në vlerë prej 6,589,459.60 eurosh, iu dha grupit të operatorëve ekonomikë “N.N.P. EURO CONSTRUCTION”, “EURO ABI” SH.P.K., “Beni Construction” SH.P.K. dhe “Arifaj” SH.P.K.
Lidhja e kompanisë me ish-zyrtarin e LDK-së
Kompania “N.N.P. EURO CONSTRUCION”, është themeluar nga Bislim Morina në vitin 2013.

I njëjti ishte pjesë e partisë që udhëheq Prishtinën.
Bislim Morina në vitin 2014 ishte emëruar Drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim Bislim Morina, në Komunën e Rahovecit, nga radhët e LDK-së.
Ai në profilin e tij ka të publikuar fotografi nga aktivitet në këtë parti./insajderi.org/















