Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Kryesimi irlandez me BE-në kthen në fokus zgjerimin, por pa Kosovën

24/06/2026 - 13:38
në Kryesore, Lajme
A A
Kryesimi irlandez me BE-në kthen në fokus zgjerimin, por pa Kosovën
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Irlanda do ta marrë kryesimin e presidencës gjashtëmujore me rotacion të Këshillit të Bashkimit Evropian (BE) më 1 korrik, dhe kjo periudhë prej gjysmë viti do të jetë e rëndësishme për zgjerimin e bllokut për disa arsye.

Derisa Mali i Zi mund t’i përmbyllë bisedimet nën drejtimin irlandez, duke e vendosur në binar për t’u bërë anëtari i 28-të i BE-së deri në vitin 2028, Kosova nuk pritet të jetë fare pjesë e agjendës.

Ndërkohë, Ukraina, Moldavia dhe Shqipëria gjithashtu pritet ta vazhdojnë përparimin e tyre drejt anëtarësimit, ndërsa mund të ketë lëvizje në të njëjtin drejtim edhe për Islandën dhe Serbinë.

Ka gjithashtu interes të madh për faktin se pikërisht Irlanda po e merr stafetën. Dublini e kryesoi presidencën kur BE-ja e kreu zgjerimin e saj të madh të vitit 2004, duke mirëpritur në klub tetë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, si dhe Qipron dhe Maltën.

Diplomatët irlandezë theksojnë për Radion Evropa e Lirë (REL) se kjo periudhë ende kujtohet me nostalgji në ishull dhe se sondazhe të shumta tregojnë se irlandezët janë kryesisht mbështetës të zgjerimit të bllokut.

Në Bruksel, Irlanda shihet gjithashtu si një “ndërmjetëse e ndershme” për këtë çështje – një nga pak shtetet anëtare, Qeveria e së cilës nuk e ka bllokuar kurrë ndonjë hap të zgjerimit dhe nuk ka asnjë mosmarrëveshje dypalëshe me asnjë nga vendet kandidate.

Kjo çështje është një nga prioritetet kryesore të Dublinit për muajt e ardhshëm dhe për këtë arsye pritet përparim i konsiderueshëm.

Para se t’i shohim shanset e vendeve që pritet të gëzojnë përparim, një vlerësim për Kosovën dhe vendet e tjera që nuk pritet të jenë në fokus.

Kosova dhe vendet e tjera në vendnumëro

Derisa ka shumë lëvizje në procesin e zgjerimit, katër vende pritet të mbeten në vendnumëro: Kosova, Bosnje e Hercegovina, Gjeorgjia dhe Maqedonia e Veriut.

Kosova përballet me telashin e moçëm.

Megjithëse e paraqiti aplikimin për anëtarësim në BE në fund të vitit 2022, kërkesa e Kosovës ende nuk i është përcjellë Komisionit Evropian për vlerësim. Arsyeja është se pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës – Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – nuk janë pajtuar për ta çuar procesin përpara.

Irlanda ka gjasa t’i vërë në sprovë qëndrimet e këtyre pesë vendeve gjatë presidencës së saj. Shteti i fundit anëtar që e provoi këtë ishte Suedia në fillim të vitit 2023, por Stokholmi u shpërfill, veçanërisht nga Madridi.

Pak njerëz në Bruksel besojnë se do të ketë ndryshim në këtë drejtim gjatë muajve të ardhshëm.

Ndërkohë, për shkak të ndërlikimeve të brendshme, Sarajeva ende nuk ka arritur të emërojë një kryenegociator për bisedimet me BE-në. Për më tepër, dy ligje që Brukseli kërkonte që vendi t’i aprovonte, një që lidhet me funksionimin e gjyqësorit dhe një tjetër që synon kufizimin e ndërhyrjeve politike në sistemin gjyqësor, ende nuk janë miratuar.

Në Maqedoninë e Veriut, ndryshimet e nevojshme kushtetuese për të pasqyruar statusin e bullgarëve në vend ende nuk janë miratuar dhe nuk ka tregues se kjo do të ndodhë së shpejti.

Sipas Komisionit Evropian, Gjeorgjia është vend kandidat vetëm në emër. Pas përplasjeve të shumta me Brukselin, Qeveria në Tbilisi ka pezulluar praktikisht çdo përpjekje për të nisur bisedimet e anëtarësimit deri në vitin 2028. Heqja e statusit kandidat konsiderohet e pamundur dhe zyrtarët e BE-së theksojnë se hapi i radhës duhet të vijë nga vetë Gjeorgjia.

Mali i Zi – Anëtari i 28-të në vitin 2028?

Mali i Zi është padyshim vendi që duhet ndjekur me vëmendje në këtë kohë.

Vendi i vogël i Ballkanit Perëndimor ka mbyllur deri tani 16 nga 33 kapitujt e anëtarësimit, ku secili kapitull përfaqëson një fushë politike në të cilën vendi kandidat duhet t’i përshtatë rregullat dhe legjislacionin e BE-së.

Podgorica dëshiron t’i mbyllë 17 kapitujt e mbetur gjatë presidencës irlandeze. Kryeministri irlandez, Micheal Martin, ishte në Mal të Zi në fillim të qershorit në kuadër të samitit BE–Ballkani Perëndimor dhe theksoi se do të ishte “sfiduese” të përfundonte gjithçka brenda gjashtë muajve të ardhshëm, por se ky ishte synimi i Dublinit.

Qiproja, që aktualisht mban presidencën me rotacion, mund të arrijë t’i mbyllë deri në tre kapituj të tjerë në fund të qershorit, para se t’ia dorëzojë stafetën Irlandës. Më pas, irlandezët shpresojnë të mbajnë konferenca të rregullta ndërqeveritare (të njohura në Bruksel si “IGC”) gjatë vjeshtës, ku do të mbyllen më shumë kapituj.

Një diplomat i BE-së theksoi se Mali i Zi duhet t’i përfundojë të gjitha negociatat gjatë vitit 2026 ose në fillim të vitit pasues për të arritur synimin që të bëhet anëtari i 28-të i BE-së në vitin 2028. Ky afat pasqyron nevojën që traktati i anëtarësimit të ratifikohet nga të 27 shtetet anëtare të BE-së, një proces që mund të zgjasë një vit – në mos më shumë.

Vlen të përmendet gjithashtu se gjatë presidencës irlandeze janë planifikuar takime më të shpeshta të grupit të posaçëm të punës në Bruksel që merret me hartimin e traktatit të anëtarësimit të Malit të Zi në BE. I krijuar në prill, grupi filloi punën e hartimit në maj dhe, sipas zyrtarëve evropianë me të cilët ka folur REL-in, procesi ka ecur pa probleme deri tani.

Shqipëria, gjithnjë e më afër

Qiproja mund të arrijë gjithashtu t’i mbyllë kapitujt e parë me Shqipërinë në fund të qershorit, por nëse ajo s’e bën, Irlanda pritet ta bëjë këtë në korrik.

Pas hapjes me ritëm të shpejtë të të gjithë kapitujve gjatë viteve 2024–2025, Tirana ka ngecur deri tani në përmbushjen e të ashtuquajturave kritere të ndërmjetme në kapitujt 23 dhe 24, të cilët lidhen me sundimin e ligjit. Ajo më në fund arriti t’i përmbushë këto kritere në fund të majit.

Meqenëse BE-ja është e shqetësuar për gjendjen e gjyqësorit dhe të drejtave themelore në shumë vende kandidate, nuk mjafton vetëm hapja dhe mbyllja e negociatave në këta dy kapituj. Duhet të përmbushen kriteret e ndërmjetme. Këto kritere përcaktohen nga të 27 shtetet anëtare të BE-së, të cilat më pas duhet të vendosin njëzëri se ato janë përmbushur para se t’i caktojnë kriteret përfundimtare të mbylljes për vendin kandidat.

Pasi ka përmbushur kriteret e ndërmjetme për sundimin e ligjit, Shqipëria mund t’i mbyllë së shpejti tre kapituj anëtarësimi: shkencën dhe kërkimin, arsimin dhe kulturën, si dhe marrëdhëniet e jashtme.

Serbia dhe Islanda po e rrisin ritmin?

Vlen të ndiqen edhe dy vende të tjera që mund të fillojnë të lëvizin gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.

Njëri prej tyre është Serbia.

Duke parë se Mali i Zi dhe Shqipëria që po ecin me ritëm të shpejtë, Beogradi është i etur ta rifillojë përparimin, pasi ka ngecur në rrugën drejt BE-së që nga fundi i vitit 2021.

Në korridoret e BE-së qarkullojnë thashetheme se vendi mund ta hapë një grup të tërë kapitujsh, kryesisht të lidhur me ekonominë dhe konkurrueshmërinë, qysh në korrik, veçanërisht sepse Franca po shtyn që kjo të ndodhë.

Megjithatë, të tjerë vazhdojnë të ngurrojnë.

Shtetet baltike janë të shqetësuara pse Serbia nuk e përfill politikën e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, edhe pse qëndrimi i tyre i ashpër në këtë çështje nuk është më aq parimor sa dikur.

Pastaj janë vende, veçanërisht Holanda, të cilat nuk dëshirojnë ta shohin Beogradin duke përparuar në procesin e anëtarësimit në BE së shpejti, për shkak të problemeve serioze me sundimin e ligjit në vend.

Megjithatë, kjo është diçka që ia vlen të ndiqet në muajt në vijim.

Pastaj është Islanda.

Shteti ishullor aplikoi për t’u anëtarësuar në BE në vitin 2009, pasi u trondit nga një krizë financiare.

Duke nisur negociatat e anëtarësimit pak kohë më pas, ai arriti t’i mbyllë 11 nga 33 kapitujt negociues, derisa një qeveri e re njoftoi Brukselin në vitin 2013 se – me BE-në në mes të krizës së eurozonës – po pezullonte bisedimet.

Kjo ndodhi gjithashtu gjatë kryesimit të presidencës BE-së nga Irlanda në atë kohë.

Në një kthesë interesante historike, Islanda do të mbajë një referendum në fund të gushtit për të vendosur nëse do t’i rifillojë negociatat e anëtarësimit. Dhe, Irlanda është sërish në krye në rast se islandezët votojnë pro, gjë që sondazhet tregojnë se mund të ndodhë, megjithëse diferenca është e ngushtë.

Kjo mundësi nuk ka kaluar pa u vënë re në Irlandë. Ministri irlandez për Evropën, Thomas Byrne, ka deklaruar se islandezët “i pezulluan negociatat e tyre gjatë presidencës së fundit irlandeze. Prandaj, nëse do t’i rifillonin prej aty, mendoj se do të ishte një moment i madh për ne”./REL

JU REKOMANDOJMË

Geci: ‘Anton Quni duhet të jetë kandidat për President të Kosovës’

Geci: ‘Anton Quni duhet të jetë kandidat për President të Kosovës’
01/09/2026 - 22:54

Gani Geci nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në këtë subjekt politik ku gjashtë deputetë të kësaj partie vendosëm mos t’a mbështesin Bekim...

Më shumëDetails

Kurti kritikon 6 deputetët e LDK’së: Të papërgjegjeshme, absurde një sjellje të tillë nga këta 6 deputetë

Kurti kritikon 6 deputetët e LDK’së: Të papërgjegjeshme, absurde një sjellje të tillë nga këta 6 deputetë
01/09/2026 - 22:46

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, ka dalë në konferencë për media pas mbledhjes me grupin parlamentar të LVV. Ai foli edhe për gjashtë deputetët e LDK-së që deklaruan se...

Më shumëDetails

Kurti: Marrëveshja është e vlefshme, Bekim Sejdiu është kandidati, vullneti i Abdixhikut është i sinqertë

Kurti: Marrëveshja është e vlefshme, Bekim Sejdiu është kandidati, vullneti i Abdixhikut është i sinqertë
01/09/2026 - 22:36

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dalë në konferencë për media pas mbledhjes me grupin parlamentar të LVV. Kurti tha se marrëveshja me LDK-në është e vlefshme,...

Më shumëDetails

Haxhiu me kritika ndaj Lumir Abdixhikut: Nuk e ka fuqinë politike të jetë arrogant

Haxhiu me kritika ndaj Lumir Abdixhikut: Nuk e ka fuqinë politike të jetë arrogant
01/09/2026 - 22:23

Gazetari Baton Haxhiu, ka lëshuar Kritika të ashpra ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Haxhiu ka thënë se është lajm i keq për Kosovën që nuk po formohen...

Më shumëDetails

Çitaku: Lëreni Hashim Thaçin rehat, nuk po presim të kthehet në një post, por të kthehet i lirë

Çitaku: Lëreni Hashim Thaçin rehat, nuk po presim të kthehet në një post, por të kthehet i lirë
01/09/2026 - 22:13

Çitaku: Lëreni Hashim Thaçin rehat, nuk po presim të kthehet në një post, por të kthehet i lirëShare Button Gazeta Blic Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku,...

Më shumëDetails

Sejdiu: Kurti e ka ditur se në LDK do të ketë deputetë që s’votojnë për president

Ish-nënkryetari i VV-së: Në vend është instaluar një politikë e frikës
01/09/2026 - 22:01

Opinionisti Dardan Sejdiu, ka folur për debatin brenda LDK-së dhe kundërshtimet e disa deputetëve të saj për ta mbështetur kandidaturën e Bekim Sjediut për kryetar të shtetit. Ai...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • I ‘mbledhi’ burrat’, kështu e kaloi natën Edi Kuçi (pamje)

    I ‘mbledhi’ burrat’, kështu e kaloi natën Edi Kuçi (pamje)

    176 Shpërndaje
    Shpërndaje 70 Tweet 44
  • A do ta votojë Bekim Sejdiun? Flet Hykmete Bajrami

    123 Shpërndaje
    Shpërndaje 49 Tweet 31
  • Ekskluzive: Bajrami, Hoti, Shala, Haziri e Zemaj nuk morën pjesë në mbledhjen e sotme të LDK-së

    112 Shpërndaje
    Shpërndaje 45 Tweet 28
  • “Kamera në maicë e dëgjuese në vesh”, dyshohet se merrnin ryshfet për kalimin e testit të patentë-shoferit, kërkohet paraburgim për tre persona

    93 Shpërndaje
    Shpërndaje 37 Tweet 23
  • Këta janë 18 deputetët e LDK-së në legjislaturën e 11-të të Kuvendit të Kosovës

    191 Shpërndaje
    Shpërndaje 76 Tweet 48

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë