Kryeministri Albin Kurti i ka bërë thirrje PDK-së që të propozojë sa më shpejt kandidatin e saj për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që puna institucionale të vazhdojë pa vonesa.
Kurti tha se partitë politike duhet të bashkëpunojnë në komisionet parlamentare dhe të mos humbin kohë me procedura.
“Të punojmë dhe të mos humbim kohë me procedura. E ftoj PDK-në që të vijë sa më shpejt ta propozojë edhe ajo kandidatin për nënkryetar të Kuvendit dhe të punojmë bashkë në komisione parlamentare”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se, ndonëse Qeveria udhëhiqet nga Vetëvendosje, shteti dhe Republika nuk janë vetëm përgjegjësi e ekzekutivit, por edhe e opozitës.
“Qeveria është e udhëhequr nga VV-ja, por në anën tjetër shteti dhe Republika nuk janë të qeverisë, janë edhe të opozitës, e cila duhet të jetë aktive në Kuvend”, tha Kurti për mediat./Klankosova.tv













