Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për biznesmenin e njohur kosovar, Valon Lluka.
Siç raporton Arbresh, Llukës i është caktuar masa e paraburgimit pas ndalimit prej 48 orëve para një dite.
Arrestimin e Valon Llukës në një prononcim për Veriu.info e kishte konfirmuar edhe zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, e cila kishte bërë të ditur se i njëjti dyshohet për veprat penale “Mashtrimi”, “Shperdorimi i pasurise se huaj”, “Keqperdorimi i autorizimeve ekonomike” dhe “Lidhja e kontrates se dëmshme”.
“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një (1) person me inicialet V.Ll., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak se i njëjti dyshohet për kryerjen e veprave penale “Mashtrimi”, nga neni 323, “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”, nga neni 318, “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, nga neni 284, dhe për veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme” nga neni 285 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Lidhur me rastin në fjalë, Prokurori i çështjes në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit”, kishte thënë zëdhënësja Shala për Veriu.info.














