Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Lumiri fitoi. LDK humbi. Albini qeshi.

01/08/2026 - 13:17
në Opinione
A A
Lumiri fitoi. LDK humbi. Albini qeshi.
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Shkruan: Baton Haxhiu

Në Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK nuk është historia e një votimi të fituar. Është historia e një partie që edhe një herë zgjodhi ta shtyjë krizën, në vend që ta zgjidhë. Formalisht, Lumir Abdixhiku mbijetoi. Politikisht, ai humbi gjysmën e partisë. Dhe kur një kryetar mbetet në detyrë vetëm sepse gjysma tjetër nuk arriti ta rrëzojë, ai nuk del më i fortë nga Kuvendi. Del më i varur prej tij.

Kur përfundoi numërimi i votave në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, rezultati u lexua si fitore e Lumir Abdixhikut. Në numërim ishte e tillë. Politikisht jo.

Një parti që ndahet pothuajse përgjysmë rreth kryetarit të saj nuk ka prodhuar stabilitet. Ka prodhuar shtyrjen e krizës. 170 vota kundër dhe 152 pro kërkesës për shkarkimin e Lumir Abdixhikut nuk tregojnë se ai e fitoi partinë, tregojnë se ai humbi gjysmën e saj.

Dhe ky nuk është një paradoks i rastësishëm. Është pjesë e kulturës politike që LDK e ka ndërtuar ndër dekada. Ajo mbetet ndoshta partia me kulturën më të konsoliduar demokratike në Kosovë. Debaton, voton, lejon pakicat të flasin dhe rrallëherë i zgjidh krizat me imponim. Por, si çdo parti historike, ajo ka trashëguar edhe një kulturë tjetër, më pak të dukshme: oportunizmin e një pjese të elitës së saj.

Pikërisht ky oportunizëm e ka bërë shpesh LDK-në tolerante deri në vetëdëmtim, institucionale deri në nënshtrim dhe demokratike deri në pafuqi. Ajo prodhon procese demokratike, por jo gjithmonë vendime që e shpëtojnë partinë ose elektoratin e saj. Brenda saj është krijuar një intelektualizëm i kujdesshëm, shpesh i ngadaltë dhe ngurrues për të marrë vendime të mëdha; një kulturë që duron shumë, fal shumë dhe, në fund, pranon edhe atë që në shumicën e partive të tjera do të konsiderohej politikisht e papranueshme.

Prandaj ndodh që një kryetar, edhe pasi humb tri palë zgjedhje radhazi, të mos përballet me përgjegjësi politike, por me një debat procedural. Kjo është një virtyt demokratik, por njëkohësisht edhe dobësia më e madhe historike e LDK-së.

Më së shumti më frikëson një fjali që dëgjohet sa herë LDK hyn në krizë, sidomos kur vjen nga gojëtarët guror, te pa shije e dije, të Lumirit dhe thonë, “Mos flisni për LDK-në. Ne e dimë punën tonë.” Pikërisht ata që e përsërisin më shpesh, zakonisht janë ata që ende nuk e kanë kuptuar pse humbën. Sepse politika nuk matet me bindjen që ke për veten, por me besimin që të japin qytetarët. Dhe kur qytetarët ta marrin atë besim tri apo katër herë radhazi, nuk është më koha të mësosh të tjerët se si bëhet politika. Është koha të pyesësh veten nëse e ke humbur aftësinë për ta kuptuar atë. Arroganca e elitave politike gjithmonë fillon me bindjen se kritika vjen nga jashtë, ndërsa gabimet nuk ekzistojnë brenda. Pikërisht në atë moment, një parti fillon të humbasë jo vetëm zgjedhjet, por edhe instinktin për t’u reformuar.

Dhe pikërisht këtu fillon historia e vërtetë e këtij Kuvendi, sepse Lumir Abdixhiku nuk fitoi falë një vizioni që bashkoi LDK-në. Ai fitoi falë një ekuilibri interesash, hakmarrjesh të vjetra dhe frikës nga e panjohura.

Në qendër të këtij ekuilibri qëndron një emër. Lutfi Haziri.

Në politikën e LDK-së ai ka qenë gjithmonë një njeri që e njeh instinktin e mbijetesës. Ai ka ditur të jetë me Ibrahim Rugovën, me Isa Mustafën, me Lumir Abdixhikun dhe me çdo konfigurim që i ka garantuar ndikim. Kjo është lexuar nga shumëkush si oportunizëm, por këtë herë ai nuk veproi vetëm për oportunizëm.

Veproi edhe për kujtesë dhe për hakmarrje. Sepse pikërisht ata që vite më parë e penguan të bëhej kryetar i LDK-së, fillimisht duke u rreshtuar pas projektit të Avdullah Hotit dhe më pas duke ndërtuar projektin e Lumir Abdixhikut si alternativë kundër tij, Gazmend Muhaxheri, Imri Ahmeti dhe grupi që i mbështeti, këtë herë u gjendën në anën tjetër të betejës. Ata që dikur e bindën partinë se LDK kishte nevojë për një lider të ri dhe e shtynë Lutfi Hazirin në plan të dytë, tani kërkonin ta rrëzonin pikërisht liderin që vetë e kishin ndërtuar.

Për Lutfi Hazirin, kjo nuk ishte vetëm një votë për Lumirin. Ishte momenti kur historia politike u kthye në favor të tij. Ai nuk i shpëtoi vetëm Lumir Abdixhikun; ai ua ktheu kundërshtarëve të vet projektin që dikur ia kishin imponuar LDK-së.

Ironia e politikës është se shpesh hakmarrja nuk bëhet duke e rrëzuar kundërshtarin, por duke e shpëtuar atë që dikur ta imponuan.

Dhe kjo ndodhi në këtë Kuvend. Prandaj kjo nuk ishte fitore e Lumir Abdixhikut.

Ishte një fitore e kalkulimeve personale. Por fituesi i madh nuk ndodhej fare në sallë.

Fituesi i madh ishte Albin Kurti.

Sepse një LDK e ndarë pothuajse në dy pjesë është pikërisht opozita që ai ka kërkuar prej vitesh.

Një parti që debaton për veten nuk ka kohë të debatojë për qeverinë.

Një parti që lufton për kryetarin nuk ndërton alternativë për pushtetin.

Dhe ndërsa LDK po numëronte votat e saj, Albin Kurti po numëronte kohën që i fitoi.

Fituesja tjetër është Vjosa Osmani.

Ajo nuk fitoi një votim.

Fitoi një strategji.

Modeli me të cilin ajo u largua nga LDK-ja, u përplas me të, ndërtoi karrierën e saj jashtë saj dhe sot u rikthye si faktor vendimtar në mbrojtje të kryetarit të saj, është ndoshta paradoksi më i madh politik i këtij Kuvendi.

Dikur akuzohej se e kishte tradhtuar LDK-në.

Sot u bë një nga garantueset e lidershipit të saj.

Kjo nuk është vetëm ironi.

Është dëshmi se LDK ka filluar ta pranojë si normale atë që dikur e quante tradhti.

Dhe kur një parti ndryshon kaq shumë kriteret morale, problemi nuk është më te kryetari.

Problemi është te identiteti.

Prandaj ky Kuvend nuk e zgjidhi krizën.

Vetëm e shtyu.

Sepse nesër Lumir Abdixhiku do të jetë sërish kryetar.

Por do të jetë kryetar i një partie ku pothuajse gjysma nuk e dëshiron.

Vjosa Osmani do të vazhdojë ta kërkojë presidencën.

Por do ta kërkojë duke u mbështetur mbi një LDK më të dobët se kurrë.

Ndërsa Albin Kurti do ta ketë përballë një opozitë që, edhe kur mblidhet për ta rrëzuar kryetarin e saj, arrin vetëm ta ndajë veten në dy pjesë.

Dhe ndoshta ky është përfundimi më i hidhur i këtij Kuvendi.

Lumir Abdixhiku fitoi votimin, ndersa Lutfi Haziri fitoi hakmarrjen.

Ndërkohë, Vjosa Osmani fitoi ndikimin, u kthye ne Këshillin e Përgjithshëm duke e bërë fitues Albin Kurti i cili fitoi kohën dhe natyrisht edhe betejen politike.

Në fund, LDK edhe njëherë humbi një pjesë të vetes.

 

JU REKOMANDOJMË

Vendimi i Gjykatës Speciale dhe pse Kosova duhet ta ndryshojë ligjin

Vendimi i Gjykatës Speciale dhe pse Kosova duhet ta ndryshojë ligjin
26/09/2026 - 11:32

Dënimet me nga 25 vjet burgim të shqiptuara ndaj Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit, së bashku me dënimet për Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, janë të rënda. Por...

Më shumëDetails

Nevoja për kthjelltësi strategjike në kohë zhgënjimi: Lufta jonë është kundër padrejtësisë, jo kundër Perëndimit

Nevoja për kthjelltësi strategjike në kohë zhgënjimi: Lufta jonë është kundër padrejtësisë, jo kundër Perëndimit
19/09/2026 - 14:05

Shkruan: Adri Nurellari Dënimi i udhëheqësve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara ka shkaktuar me të drejtë zemërim, pikëllim dhe ndjenjën e një padrejtësie të thellë. Mirëpo, krahas...

Më shumëDetails

Aktgjykimi që mohoi jurisprudencën ndërkombëtare

Aktgjykimi që mohoi jurisprudencën ndërkombëtare
18/09/2026 - 11:42

VENDIMI I 16 SHTATORIT-THIKË PAS SHPINE PAVARËSISË SË KOSOVËS Shkruan: Bardhyl Mahmuti Reagimet e shumta në të katër anët e botës ndaj vendimit të 16 shtatorit, ka nxitur...

Më shumëDetails

Kuvendi të kërkojë verifikim kombëtar: Nëse Dhomat e Specializuara kanë tejkaluar mandatin, të shqyrtohet marrja e autorizimeve

Kuvendi të kërkojë verifikim kombëtar: Nëse Dhomat e Specializuara kanë tejkaluar mandatin, të shqyrtohet marrja e autorizimeve
17/09/2026 - 22:39

Aktgjykimi i 16 shtatorit 2026 ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka krijuar një situatë të re dhe jashtëzakonisht të ndjeshme për Republikën e...

Më shumëDetails

Ben Blushi: Pse u dënua Hashimi

Ben Blushi: Pse u dënua Hashimi
16/09/2026 - 18:39

Shkruan: Ben Blushi Për fat të keq isha i bindur se Hashim Thaci dhe shokët e tij do dënoheshin. Edhe vetë Hashimi e dinte. Kur pashë fytyrën e...

Më shumëDetails

Haga burgosi presidentin themelues të Kosovës. Trump mund ta trajtojë këtë gjykatë njësoj siç trajtoi GJNP-në

Haga burgosi presidentin themelues të Kosovës. Trump mund ta trajtojë këtë gjykatë njësoj siç trajtoi GJNP-në
16/09/2026 - 14:36

Shkruan: James Frinzi Të mërkurën, një gjykatë që Kosova nuk e ka dashur kurrë e dënoi Hashim Thaçin me 25 vjet burg. Dhomat e Specializuara të Kosovës në...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Gani Geci e gjen vëllain e Fabio Caldinit që shau dhe akuzoi rëndë: “Më kërkoi falje, por puna nuk mbaron këtu”

    Gani Geci e gjen vëllain e Fabio Caldinit që shau dhe akuzoi rëndë: “Më kërkoi falje, por puna nuk mbaron këtu”

    119 Shpërndaje
    Shpërndaje 48 Tweet 30
  • Me një foto intime, Lotina uron Mozzikun për 31-vjetorin e lindjes

    91 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 23
  • VV dhe PDK bashkë në qeverisje? Rrustem Mustafa vjen me propozimin e papritur për “Koalicionin e Madh”

    89 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 22
  • Gjetje shqetësuese në “Target Clinic”: Shërbime pediatrike pas pezullimit, pacientë të paevidentuar dhe mjek i paregjistruar

    113 Shpërndaje
    Shpërndaje 45 Tweet 28
  • “Penthouse” pa leje e 716 mijë euro dobi pasurore – si dyshohet se pushteti i Aleancës ia mundësoi ndërtimin vjehrrit të deputetes

    88 Shpërndaje
    Shpërndaje 35 Tweet 22

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë