Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se i dogji dy figura të Gjilanit Fatmir Spahiun dhe Feride Rushitin.
Haziri deklaroi se gjatë gjashtë viteve të fundit, Gjilani është lënë jashtë projekteve zhvillimore nga qeveria aktuale, duke e cilësuar këtë si “përjashtim me lehtësi të padurueshme”.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për trajtimin e figurave publike nga Gjilani, duke përmendur Fatmir Spahiu dhe Feride Rushiti. Sipas Hazirit, Spahiu ishte propozuar për ministër para zgjedhjeve, por pas tyre nuk u përfshi në qeveri, ndërsa për Rushitin tha se ishte nominuar “për të mos u zgjedhur”.
Postimi i plotë i Hazirit:
Kurti e përjashtoi Gjilanin nga investimet këto gjashtë vite, por përse i përjashtoi edhe kuadrot?!
Në gjashtë vitet e fundit, Gjilani është përjashtuar me lehtësi të padurueshme nga projektet zhvillimore nga ana e qeverisë Kurti.
Por, përse u desh që t’i përjashtojë edhe kuadrot?!
Fatmir Spahiun, ikonën e kinematografisë kosovare, e nominoi për ministër para zgjedhjeve, por pas zgjedhjeve e zgjodhi krejt dikë tjetër, pa asnjë sqarim, pa asnjë kërkimfalje.
Njëjtë veproi edhe me Dr. Feride Rushitin. E nominoi për të mos u zgjedhur. Kjo është dëshmia më e madhe se si shfrytëzohen gjilanasit veç për vota e pa projekte zhvillimore, dhe se si shfrytëzohen emrat e autoritetet për tejkalim krizash.














