Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nuk do të japë votë për deputetë që kanë synim dërgimin e vendit në zgjedhje të reja, duke iu referuar të propozuarve të PDK-së dhe LDK-së për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës.
Arbërie Nagavci, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se partia është e gatshme të ofrojë votat e tyre për nga një deputet të të dyja partive parlamentare, por tha se dy partitë duhet të vijojnë me propozimet e tyre.
“Synimi ynë është që të konstituojmë të gjitha institucionet. Unë garantoj sot këtu që nëse ka vullnet nga PDK dhe LDK, vazhdojmë sot me qeverinë dhe presidentin”, tha ajo.
Ajo tha se tashmë kemi një praktikë nga Partia Demokratike e Kosovës, sipas të cilës, grupet parlamentare votojnë për propozimin që e shohin të arsyeshme.













