Një ndër gazetat më të mëdha në Suedi, “Dagens Nyheter”, ka raportuar për dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj.
Fakti pse mediat suedeze po raportojnë për këtë rast është se ish-çifti kanë pasur edhe shtetësi të këtij shteti.
“Dagens Nyheter” thotë se Murseli është rritur në Bohuslan, ka qenë figurë që ka qenë i rrethuar me yje botërore, pamje të cilat thotë se i ka shpërndarë në rrjete sociale, transmeton Klankosova.tv.
Por, tani thotë se i njëjti u dënua me burgim të përjetshëm për urdhërimin e vrasjes së gruas së tij.
“Ky dënim nuk është vetëm për ne, por edhe për fëmijët e saj të cilët nuk do ta shohin më kurrë nënën e tyre”, citohet të ketë thënë vëllai i Liridonës, Leonardi.
Media suedeze më tej sjell në vëmendje se si ndodhi rasti i kobshëm i nëntorit të vitit 2023 dhe se si u zbulua se kush ishte urdhërdhënësi, kush ishte dorasi dhe personi që i bëri bashkë dyshen.
“Dagens Nyheter” thotë se Murseli është rritur në Bohuslan të Suedisë, dhe se para vrasjes, ai kishte ndarë kohën e tij mes Suedisë dhe Kosovës për disa vite.
Sipas dokumenteve të gjykatës të siguruara nga media suedeze, thuhet se çifti kishte dorëzuar dokumentet për shkurorëzim më 2019 por kishin ndryshuar mendjen gjatë periudhës së rishqyrtimit. DN i referohet mediave të Kosovës mbi motivin, ku thuhet se ka qenë financiar – Liridona ka pasur sigurim jetësor në vlerë prej rreth 280 mijë eurosh.
DN thotë se fëmijët janë vendosur nëpër shtëpi kujdestarie në Suedi.














