Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se Mali i Zi ka përmbushur pothuajse të gjitha kushtet për anëtarësim në BE dhe se kërkesat e paraqitura nga kryeministri kroat Andrej Plenkovic janë “çështje të vogla lokale që mund të zgjidhen”.
Në konferencën për media, gjatë ditës së dytë të Këshillit Evropian, Merz shtoi se BE-ja është e gatshme të pranojë të gjitha vendet që i përmbushin kushtet për anëtarësim.
Merz theksoi se Mali i Zi ka përmbushur pothuajse të gjitha kushtet.
“Komisionit i është kërkuar që tani të hartojë edhe traktatin e anëtarësimit. Ekzistojnë ende disa çështje të vogla lokale, të cilat i ka ngritur edhe kolegu im Plenkovic, por të gjitha janë të zgjidhshme.
Mbrëmë u zhvillua një diskutim shumë konstruktiv lidhur me Malin e Zi. Gjithashtu, duam të tregojmë se Bashkimi Evropian është ende i gatshëm të pranojë anëtarë të rinj.
Bashkimi Evropian nuk është një ‘dyqan i mbyllur’ (Closed Shop), por është një union i hapur për të gjitha shtetet e Evropës që i përmbushin kushtet për anëtarësim, në mënyrë që ato të mund të bëhen anëtare”, deklaroi Merz.

















