Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, ka theksuar sot se nuk ka rrugë të shkurtër për Kosovën dhe Serbinë në rrugën e anëtarësimit në BE, duke përsëritur rëndësinë e vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
“Nuk ka rrugë të shkurtër për Kosovën dhe Serbinë. Evropa është shumë aktive në normalizimin e marrëdhënieve dhe për fat të mirë, ne nuk kemi arritur në pikën pa kthim. Megjithatë, ka pasur progres, por së fundmi kemi parë një situatë shqetësuese në veri të Kosovës”, tha ai.
Ai tha se prioriteti i Austrisë është të mbështesë rajonin në rrugën e tij drejt BE-së.
Schallenberg tha se Komisioni i ri Evropian do të zgjidhet së shpejti dhe se Austria dëshiron që të gjitha vendet kandidate që janë pjesë e EUSDR të bëhen anëtarë të Unionit në pesë vitet e ardhshme.
Ai theksoi se mbështetja e Austrisë për vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën evropiane “nuk ka të bëjë me altruizmin, por është edhe në interesin e vetë Vjenës”, pasi Austria është e lidhur njerëzisht dhe ekonomikisht me atë rajon.












