Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se janë arrestuar dy mjekë të dyshuar të spitalit në Vushtrri nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
Gazeta Online Veriu.info raportoi sot ekskluzivisht se dy mjekët e arrestuar janë Ekrem Sefiu dhe Valdet Rexhepi.
Sipas dyshimeve fillestare, i dyshuari Ekrem Sefiu në tri raste, ndërsa i dyshuari Valdet Rexhepi në pesë raste, kanë kërkuar dhe pranuar para nga qytetarët për ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
Po ashtu para pak muajsh Veriu.info kishte raportuar ekskluzivisht për kirurgun Ekrem Sefiu, ku ky i fundit akuzohej nga një pacient me inicialet M.V. se pas gabimeve në operim nga mjeku ai kishte humbur testisin.
Veriu.info kishte siguruar një vendim të Inspektoratit Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë me të cilin spitali “Klinika Amerikane Sh.P.K.” me themelues Vullnet Kusari është gjobitur me vetëm një (1) mijë euro për shkelje të Ligjit për Shëndetësi.
Në arsyetimin e vendimit të Inspektoratit Shëndetësor të siguruar nga Veriu.info, thuhet se gjatë inspektimit është konstatuar se Dr. Ekrem Sefiu – kirurg i përgjithshëm ushtronte veprimtarinë shëndetësore në “Klinika Amerikane” në mënyrë të kundërligjshme, për shkak se i njëjti nuk ishte i lajmëruar në Divizionin për Licencim dhe Akreditim të Ministrisë së Shëndetësisë.




Veriu.info kishte siguruar edhe dy vendime tjera të Inspektoratit Shëndetësor me të cilat janë dënuar me nga 200 euro dy doktorë të “Klinika Amerikane”, Dr. Ekrem Sefiu dhe Dr. Bujar Muqolli, për shkak të ankesës së pacientit M.V.
Në vendimin për gjobitjen e Dr. Ekrem Sefiu thuhet se fletëdalja e pacientit M.V. është lëshuar pa nënshkrim dhe faksimil të tij.

Në dokumentet e siguruara nga Veriu.info, kuptohet se deri te këto gjoba kishte ardhur për shkak të ankesës së pacientit M.V., i cili ishte ankuar për trajtimin mjekësor që i ishte bërë, duke pretenduar se si pasojë e veprimeve të Dr. Ekrem Sefiu gjatë operimit në “Klinika Amerikane” ai ka humbur testisin e djathtë.
Në ankesën e tij pacienti M.V. tregon se më 20 janar 2025 për shkak të dhimbjes në fund të abdomenit kishte shkuar për kontroll të Dr. Ekrem Sefiu në “My Clinic”, i cili i kishte thënë se duhet të operohet dhe të njëjtin operim e kryejnë te “Klinika Amerikane”, ku më 31 janar 2025 ishte operuar nga ‘hernia’ (bruhi).
Detajet e rastit i gjeni në lajmin më poshtë:













