
Gazeta Online Veriu.info vazhdon të raportojë saktë dhe drejt në interes të publikut, duke prezantuar për opinionin shkeljet dhe padrejtësitë që u bëhen qytetarëve nga politika, biznesit apo cilido sektor tjetër.
Një gjë të tillë Veriu.info e bëri në një seri shkrimesh hulumtuese rreth ofertave të operatorit telefonik IPKO.
Veriu.info solli fakte dhe dëshmi të shfrytëzimit nga IPKO të sezonës verore sidomos ndaj mëegimtarëve duke u shitur atyre numra të rinj me çmime marramendëse nga 25 deri në 50 euro.
Shqetësimi i ngritur nga disa qytetarë bëri që Veriu.info të fillojë hulumtimin duke gjetur se pretendimet e qytetarëve ishin të vërteta.
Në një përgjigje me shkrim në pyetjet e Veriu.info, zyrtarja për komunkim publik, Afrika Zyferi, nuk përgjigjej direkt në pyetjet e ngritura por pas insistimit të gazetarit ajo thotë IPKO ofron numra nga 2.95 euro e tutje.
Por gazetari i Veriu.info qëndroi në qendrën e IPKO-s në Mitrovicë, ku nuk kishte numra nën çmimin nën 25 euro, përderisa Veriu.info posedon edhe video deshmi se në Pejë dhe Istog nuk janë shitur numra më të lirë se 25 euro (Istog), gjegjësisht 12 euro (Pejë)
Raportimi i veriu.info në interes të qytetarëve do të duhej të reflektonte tek IPKO që të kërkonte falje dhe të ofronte shërbimet e mëparshme.
Por duket se një gjë e tillë nuk ka ndodhur, pasi raportimi i Veriu.info ka “nervozuar” së tepërmi zyrtaren për komunikim publik, Afrika Zyferi, e cila ka kërcënuar me kallëzime penale qytetarët që kanë inçizuar bisedat me zyrtarët e shitjes dhe veriu.info për publikimin e fakteve.
Ajo po ashtu nuk ka kursyer që të mbajë leksione se si duhet të bëhet gazetaria dhe si duhet të raportohet.
Por derisa merret me punën e tjetërkujt, zyrtarja Zyferi dhe IPKO, nuk merren me punën e tyre.
Më poshtë ju sjellim kërcënimin e plotë të zyrtares së IPKO-s në drejtim të gazetës Online Veriu.info:
I nderuar Veriu.info,
Ne dënojmë fuqishëm çdo aktivitet të paligjshëm, përfshirë regjistrimin e paautorizuar të bisedave. Regjistrimet në fjalë janë bërë pa pëlqimin e punonjësve tanë dhe duke mos marrë parasysh shenjat e dukshme që ndalojnë një regjistrim të tillë në ambientet tona. Ne kemi një politikë strikte në fuqi për të mbrojtur privatësinë dhe konfidencialitetin e klientëve dhe punonjësve tanë, dhe çdo shkelje e kësaj politike merret jashtëzakonisht seriozisht.
Ne kërkojmë që regjistrimet në fjalë të hiqen menjëherë nga uebi dhe nga publikimi juaj. Dështimi për ta bërë këtë nuk mund të na lërë zgjidhje tjetër veçse të ndërmarrim veprime ligjore, dhe ne rezervojmë të drejtën për të iniciuar kallëzime penale kundër individëve përgjegjës për realizimin dhe shpërndarjen e regjistrimeve të paautorizuara dhe gjithashtu ndaj Veriu.info si entitet.
Ndërsa ne e kuptojmë rëndësinë e gazetarisë investigative, nuk mund të mos shprehim shqetësimin tonë se ky artikull duket se është i nxitur më shumë nga sensacionalizmi për disa klikime shtesë, sesa nga një ndjekje e sinqertë e së vërtetës dhe raportimit të ekuilibruar, pasi në mënyrë të qartë keni injoruar dhe keqinterpretuar përgjigjet tona.
Si një kompani e përkushtuar ndaj transparencës dhe llogaridhënies, ne besojmë se gazetaria e vërtetë duhet të përfshijë raportim të drejtë, të saktë dhe të paanshëm.
Ne mbetemi të përkushtuar për të mbajtur një dialog të hapur dhe konstruktiv për të adresuar çdo shqetësim që lind.












