Nesër skadon masa e përkohshme që vendosi Gjykata Kushtetuese, ku ndalon çdo veprim për formimin e qeverisë së re të vendit deri më 30 shtator.
Por, çfarë aktgjykimi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës pritet të nxjerrë kjo gjykatë?
Analistja politike, Magbule Shkodra, thotë për Gazeta Blic që pret procesi të kthehet në pikën që nënkryetarët e komunitetit joshumicë serbe dhe joserb të votohen në pako.
“Pritjet e mia janë që të zbatohen rregullat e shkruara nga vet deputetët e legjislaturës së kaluar, ku duhet që nënkryetarët serb dhe ai nga komuniteti joserb të votohen në pako. Pra, pres që procesi të kthehet në atë pikë dhe të shkohet me votim në pako dhe njëkohësisht të respektohet procedura dhe procedura është që propozimi nga komuniteti serb dhe ai joserb të bëhet me shkrim dhe t’i ketë shumicën e nënshkrimeve që i përfaqësojnë, në këtë rast janë 9 deputetë të Listës Serbe dhe Nenaq Rashiq që është jashtë Listës Serbe, propozimi që duhet të shkojë përpara është ai që i ka 6 nënshkrime”, ka thënë ajo.
Por, a mund të ketë sërish bllokadë?
Shkodra shpreson që të mos ketë dhe të vazhdohet tutje me formimin e qeverisë.
“Unë shpresoj që partitë e ish opozitës t’i thirrin mendjes dhe arsyes dhe t’i respektojnë procedurat dhe të votojnë në pako për dy propozimet, pra të mos kemi bllokadë tjetër por të ecet tutje me formimin e qeverisë”, ka deklaruar Shkodra./Gazeta Blic/













