Pas vendimit të Gjykatës së Lartë në Shqipëri për çështjen e Aeroportit të Vlorës, ku iu dha të drejtë kompanisë MABCO, ka reaguar Behgjet Pacolli.
Kompania MABCO pritet të rikthehet në kantierin e Aeroportit të Vlorës për të vijuar punimet, së bashku me nënkontraktorët e saj. Vendimi i shkallës më të lartë të gjyqësorit i rikthen MABCO-s të drejtat e administrimit në shoqërinë koncesionare, duke rrëzuar vendimet e mëparshme të dy shkallëve të gjykimit.
Pacolli ka publikuar konkluzionet e Gjykatës së Lartë lidhur me këtë vendim, duke theksuar se një projekt strategjik kombëtar është mbajtur peng.
Në reagimin e tij, ai përsëriti thirrjen që Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të nisë një hetim të thellë për këtë çështje.
“Andaj edhe njëherë FTOJMË SPAK-un të vazhdojë HETIMIN e thellë që të identifikohen të gjitha veprimet dhe mosveprimet e secilit person përgjegjës, e në veçanti të atyre që e orkestruan, e urdhëruan dhe e ekzekutuan këtë skandal të rëndë, i cili dëmtoi rëndë imazhin dhe dinjitetin e familjes sime, cenoi të drejtën tonë kushtetuese për t’u mbrojtur nga veprimet e paligjshme, kufizoi lirinë tonë të lëvizjes, na mohoi të drejtën për të punuar dhe cenoi të drejtën tonë të pronës dhe ushtrimin e ligjshëm të saj”, ka deklaruar Pacolli.














