Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka renditur një sërë arsyesh për rezervat që thotë se i ka ndaj Bekim Sjediut, emrit të dakorduar mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut për postin e presidentit. Sipas Hotit, kalimi i Sjediut nga Gjykata Kushtetuese në pozitën e këshilltarit në Zyrën e Presidentit dëshmon, siç u shpreh ai, për një anim politik.
“Fakti që ai është larguar nga Gjykata Kushtetuese dhe ka shkuar këshilltar në Zyrën e Presidentit, tregon për animin e tij politik”, ka thënë Hoti në “Debat Plus”.
Ai ka përmendur edhe ligjet që janë shpallur në kundërshtim me Kushtetutën, si dhe procese të tjera politike e institucionale.
“Pas kësaj, kanë ndodhur disa raste. Mbi 10 ligje janë kundërkushtetuese, ke pasur procese nga më të ndryshmet që ky nuk ka pasur asnjë qëndrim karshi atyre zhvillimeve”, ka deklaruar ish-kryeministri.
Hoti ka shtuar se pikërisht këto zhvillime kanë ndikuar që ai të ketë rezerva ndaj personit në fjalë.
“Për krejt këto fakte, unë i kam rezervat e mia për të”, ka përfunduar Hoti.













