Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përmbyllur procesin e rinumërimit në të gjitha 185 vendvotimet për të cilat ishte marrë vendim për verifikim, duke hapur rrugën për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, rinumërimi ka përfunduar sot në mesditë dhe të gjitha të dhënat janë përditësuar në sistemin e rezultateve.
Me mbylljen e këtij procesi, KQZ ka përfunduar të gjitha aktivitetet e numërimit dhe rinumërimit, si në Qendrat Komunale të Numërimit ashtu edhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Megjithatë, shpallja e rezultateve përfundimtare do të varet nga përfundimi i afateve ligjore për paraqitjen e ankesave dhe nga konfirmimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) nëse ka ndonjë rast ende në shqyrtim.
Ndërkohë, Qendra e Numërimit dhe Rezultateve pritet të përgatisë një raport të detajuar për procesin e rinumërimit dhe gjetjet e evidentuara në secilin vendvotim.
KQZ ka bërë të ditur se rezultatet përfundimtare do të shpallen vetëm pasi të përmbyllen të gjitha procedurat ligjore të parapara me ligj.














