Veriu.info më 15 qershor ka publikuar një artikull hulumtues, ku ngrihen dyshime të bazuara për kurdisje të një tenderi në vlerë prej 3 milionë euro të shpallur nga Komuna e Mitrovicës për ndërtimin e rrugëve në fshatin Kaqandoll dhe Maxherë.
Në këtë artikull kishim shpjeguar në detaje dyshimet për kurdisje të kritereve të tenderit, që kryesisht lidheshin me makineri dhe pajisje specifike të kërkuara për operatorët që duan të konkurrojnë në tender.
Tri javë pas raportimit të Veriu.info, Komuna e Mitrovicës ka marrë vendim për pezullimin e tenderit pas ankesës së një operatori ekonomik, me çka ky proces tashmë është stopuar.

Në dosjen e tenderit që gjendet në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, kemi gjetur se ankesa ndaj Komunës së Mitrovicës për këtë tender kanë bërë 4 kompani, ku tri prej tyre janë refuzuar dhe vetëm njëra është aprovuar.
Për të vazhduar tash procesi i këtij tenderi, duhet që Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik të marrë vendim për këtë tender, i cili siç e kemi zbërthyer në artikullin paraprak ka të gjitha elementet për dyshim të bazuar se i gjithë procesi është i kurdisur për të favorizuar operator të caktuar ekonomik.













