Përzgjedhësi i Austrisë, Ralf Rangnick, ka komentuar barazimin 1:1 ndaj Kosovës në “Fadil Vokrri”, në kuadër të UEFA Nations League.
Rangnick theksoi se pika e marrë në fund ishte e rëndësishme për Austrinë, ndërsa pranoi se ndeshja ishte e vështirë për të dyja skuadrat, shkruan Indeksonline
“Ishte shumë e rëndësishme që arritëm ta merrnim këtë pikë në fund. Duhet ta pranojmë dhe jemi të kënaqur me të. Ishin kushte të vështira, ashtu siç e prisnim, për të dyja skuadrat.”
Trajneri austriak tha se ekipi i tij nuk zhvilloi një ndeshje të bukur, duke vënë në dukje edhe pasaktësitë në pasime.
“Ishte e qartë se nuk do të ishte një ndeshje e bukur për t’u parë. Bëmë shumë pasime të pasakta dhe jo të pastra, të cilat jo të gjitha mund t’ia atribuojmë terrenit.”
Në fund, Rangnick u shpreh i kënaqur që Austria e mbylli këtë seri ndeshjesh pa humbje dhe tashmë është e fokusuar te ndeshjet e nëntorit.
“Për momentin, më e rëndësishmja është se e mbyllëm këtë seri ndeshjesh pa humbje dhe tani mezi presim muajin nëntor.”














