Mërgim Vojvoda ka folur për “Klan Kosova” pas barazimit 1:1 të Kosovës ndaj Austrisë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të UEFA Nations League.
Mbrojtësi i “Dardanëve” u shpreh i dëshpëruar që Kosova nuk arriti ta ruante epërsinë, duke theksuar se skuadra kishte mundësi të shënonte edhe golin e dytë.
“Jemi dëshpëruar. Ishte lojë e vështirë, edhe pse patëm rastin për të bërë 2:0. Nuk kishim fat.”
Vojvoda veçoi rastin e Milot Rashicës, i cili goditi shtyllën pas një aksioni individual, ndërsa theksoi se Austria reagoi mirë pas golit të Kosovës.
“Pikërisht rasti i Milotit, i cili bëri aksion fantastik, preku shtyllën, por ky është futbolli. Po të shënonim, do të fitonim të gjithë lojën. Ata u rikthyen mirë në ndeshje dhe barazuan.”
Megjithatë, Vojvoda beson se përballjet me kombëtare të nivelit të Austrisë i japin Kosovës më shumë besim dhe forcë për të ardhmen.
“Kjo na bën më të fortë. Kur merr pikë nga këto kombëtare që janë shumë lart, të jep vetëbesim dhe të bën me u ndi më të fortë si ekip.”
Në fund, Vojvoda theksoi se gara ende nuk ka përfunduar dhe se Kosova duhet të fokusohet te dy ndeshjet e mbetura.
“Të gjithë do ta marrim parasysh këtë pikë të mirë. Por nuk ka përfunduar ende, kemi edhe dy lojë në nëntor.”
Kosova aktualisht ka pesë pikë në grup, ndërsa në nëntor do të përballet me Izraelin dhe Irlandën.












