Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje pritet të intervistojë nesër pesë dëshmitarë, në mesin e tyre edhe kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, mëson RTK-ja nga burimet e saj.
Mbledhja e Komisionit Hetimor do të nisë në orën 08:30, ndërsa intervistimi i dëshmitarëve pritet të fillojë nga ora 09:30.
Dëshmitarët që pritet të intervistohen janë Toska Gega, menaxhere e rastit në Qendrën për Punë Sociale (QPS) në Pejë; Durim Kelmendi, udhëheqës në QPS; Shpat Morina, zyrtar i QPS-së; Shpresa Lukaj, drejtuese e QPS-së në Pejë; si dhe Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës.
Komisioni Hetimor Parlamentar kryesohet nga Burim Ramadani i AAK-së, ndërsa zëvendëskryesues është Adnan Rrustemi i LVV-së.
Anëtarë të Komisionit nga LVV-ja janë Armend Baloku, Arijeta Rexhepi, Osman Musliu dhe Adelinë Tërshani; nga PDK-ja, Besa Kabashi-Ramaj dhe Eman Rrahmani; ndërsa nga LDK-ja, Doarsa Kica-Xhelili.
Komunitetet përfaqësohen nga Jovana Radosavljeviq dhe Emilija Rexhepi.
Ndryshe, tre ditë më parë, Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka bërë të ditur se nga inspektimi i jashtëzakonshëm në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, lidhur me trajtimin e rastit të së ndjerës Arlinda Zekaj, janë konstatuar shkelje të shumta.
Sipas Ministrisë, raporti ka evidentuar mosrespektim të afatit gjyqësor, neglizhencë në përmbushjen e detyrave, mosveprim sipas detyrës zyrtare dhe mungesë të mbikëqyrjes profesionale.
Për këto shkelje, Divizioni i Inspektimit i ka rekomanduar kryetarit të Komunës së Pejës ndërmarrjen e masave disiplinore ndaj menaxheres së rastit, T. G., dhe udhëheqësit të Shërbimeve Sociale, D. K., si dhe rritjen urgjente të kapaciteteve të stafit profesional të QPS-së.















