Komisioni Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës në familje do të intervistojë sot pesë dëshmitarë, përfshirë kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxherin. Intervistimet pritet të nisin në orën 09:30.
Përveç Muhaxherit, para Komisionit do të dëshmojnë katër zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale në Pejë: Toska Gega, Durim Kelmendi, Shpat Morina dhe Shpresa Lukaj.
Intervistimet vijnë pas raportit të inspektimit të jashtëzakonshëm të Ministrisë, i cili ka evidentuar shkelje të shumta në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt nga QPS-ja në Pejë.
Raporti ka konstatuar neglizhencë në kryerjen e detyrave, mosrespektim të afateve gjyqësore dhe mungesë të mbikëqyrjes profesionale. Për këtë arsye, Ministria ka rekomanduar masa disiplinore ndaj menaxheres së rastit dhe udhëheqësit të Shërbimeve Sociale, si dhe rritjen e kapaciteteve të stafit të QPS-së.














