Redaktori i RTK-së, Arton Mulliqi, ka reaguar pas dorëheqjes së gazetares Arlinda Sejda, e cila ka pasur përvojë 10-vjeçare në Radio Televizionin e Kosovës.
Në reagimin e tij, Mulliqi e ka përshkruar Sejdën si të lodhur dhe të dërrmuar nga angazhimi i madh në punë, duke thënë se edhe biseda e tyre e fundit kishte qenë pikërisht për presionin dhe ngarkesën që ajo po përjetonte.
“E kam pare me dhjetra here, te lodhur e te dermuar nga angazhimi i madh dhe perkushtimi per punen dhe profesionin”, ka shkruar Mulliqi.
Ai ka thënë se ia kishte parë lodhjen “ne sy” pas orëve të gjata në vendin e punës, ndërsa ka shtuar se e kishte këshilluar që ta vendoste veten dhe shëndetin e saj në prioritet.
“E keshillova qe ta kete prioritet vehten dhe shendetin e saj, dhe ta ruaj integritetin dhe dinjitetin personal e profesional, e te mos nenshtrohet para asnje lloj presioni”, ka shkruar ai.
Mulliqi ka thënë se, pas vendimit të Sejdës për t’u larguar nga puna, i është kthyer në mendje pamja e saj “e lodhur dhe e dermuar fizikisht e psikikisht”.
Mulliqi ka paralajmëruar se rasti i Sejdës nuk është i izoluar. Sipas tij, në RTK ka edhe të tjerë që po përballen me gjendje të ngjashme, por ende vazhdojnë të qëndrojnë në punë.
Ai e ka përshkruar situatën si gjithnjë e më të rëndë.













