———
“Shkoni! Në gjithë botën dhe ligjëroni ungjillin! Në të gjitha vendet. Dhe dijeni se unë do të jem me ju. Gjithmonë”
Një fiksim i imi i kahmotshëm ka qenë, dhe vazhdon të jetë, teoria e evolucionit. Arsyeja prapa kësaj qëndron në kureshtjen time mbi pyetjet që njihen si ekzistenciale: Kush jemi? Nga vijmë? Pse jemi këtu? Pse jetojmë? Cili është vendi ynë në natyrë? Teoria e evolucionit prek në këto pyetje dhe preokupime të thella të njerëzimit që e ndjekin pas vazhdimisht dhe na ndihmon të hedhim dritë mbi këto pyetje, përderisa nuk shndërrohet në përpjekje shkenciste që përjashton burime intelektuale të tjera si filozofia, letërsia, po edhe teologjia.
Por krahas evolucionit biologjik që ka qenë fiksimi im madje edhe në kohën kur isha besimtar para tani më shumë se një dekade, vetëmse tani e pranoj dhe mbroj me pasion, fiksimi im i radhës më duket të jetë Krishtërimi.
Jo sepse besoj se është i vërtetë, por për shkak të ndikimit revolucionar të tij, dhe atë kryesisht për të mirë, hiq besimet specifike vlerore të cilat sot i gjejmë shtypëse dhe të tjera faktuale mbi kozmosin e natyrën që sot i gjejmë të pabesueshme.
Për arsye se më duket fascinante se një individ – Jezusi i Nazaretit – i cili në të kuptuarit tim të personalitetit të tij (i ndikuar nga studimet e historianëve si Bart Ehrman, e të tjerë) më lë përshtypjen e një njeriu të zhytur thellë në deluzionin e tij mbi statusin e tij duke qenë predikues apokaliptik i cili besonte se fundi është afër dhe së shpejti Zoti do të ndërhynte në histori duke shfarosur forcat e liga, duke sjellë mbretërinë e tij në Tokë – është figura qëndrore e qytetërimit perëndimor!
Ndër filozofët më të mëdhenj dhe ateisti, Friedrich Nietzsche, i cili përçmonte Krishtërimin, një nga veprat e tij e titulloi “Tjetërsimi i të gjitha vlerave”, si përshkrim i përmbysjes së vlerave dhe rendit të vjetër që u arrit me triumfin e Krishtërimit, duke u zëvendësuar me vlera dhe një rend të ri radikalisht ndryshe dhe që është nënshtrati i çdo ideje emancipuese të mëpastajme, edhe pse ky sistem vleror i ri do të shfaqej në forma të ndryshme. Pra, për Nietzschen Krishtërimi ka depërtuar aq thellë në mendjen perëndimore sa as filozofia nuk i shpëton. Për këtë arsye, për të filozofët si Kanti, Shopenhaueri (ateist) e të tjerë ishin fundamentalisht të krishterë, filozofë me “gjak e instinkt teologu”. Dhe jo vetëm filozofia por edhe ideologjia; marksizmi, socializmi, anarkizmi e të tjera, të gjitha këto janë vetëm forma te Krishtërimit të fondamentuara në presupozime esencialisht të krishtera. Shkrimtari dhe filozofi ekzistencialist e ateist, Albert Camus, në librin e tij, ‘I revoltuari’, socializmin e quan “vetëm një formë e degjeneruar e Krishtërimit”.
Një tjetër nga filozofët më të mëdhenj të kohës sonë, i racionalizmit dhe ateist, Jurgen Habermas, në librin “Time of Transitions”, në pjesën e titulluar “A Conversation about God and the World”, thotë se të gjitha standardet tona të gjykimit moral dhe etik që bazohen në konceptin e barazisë dhe respektimit të jetës janë trashëgimi e drejtpërdrejtë e etikës judaike të drejtësisë dhe etikës kristiane të dashurisë. Dhe këtu ai futë edhe vetë demokracinë! Sipas tij, kjo trashëgimi i është nënshtruar përshtatjes dhe riinterpretimit të vazhdueshëm, por ka mbetur “substancialisht e pandryshuar” dhe, për më tepër, “deri sot nuk ka alternativë ndaj saj” dhe se “gjithçka tjetër është vetëm llaf i kotë postmodernist”.
Bart Ehrman, historiani ateist dhe ndër studiuesit me të dalluar të Dhjatës së Re dhe historisë së lindjes e zhvillimit të Krishtërimit, në librin e tij “The Triumph of Christianity” thotë se “triumfi i lashtë i Krishtërimit ka dëshmuar të jetë transformimi kulturor i vetëm më i madh që bota jonë ka parë. Pa të e gjithë historia e Antikitetit të Vonë nuk do të kishte ndodhur siç ndodhi. Nuk do të kishim Mesjetën, Reformacionin, Rilindjen, ose modernitetin siç e njohim. Nuk do të kishim një Mathew Arnold. Ose ndonjë nga poetët Viktorianë. Ose ndonjërin nga autorët e kulturës sonë: Miltonin, Shakespearin, Chaucerin. Nuk do të kishim ndonjërin nga artistët tanë të ngritur: Michelangelon, Leonardo Da Vinchin, ose Rembrandtin. Dhe asnjë nga kompozitorët tanë të famshëm: Mozartin, Handelin, ose Bachin…Duke marrë botën Romake, dhe pastaj gjithë Perëndimin, Krishtërimi jo vetëm që lindi një set të artefakteve kulturore fascinante; gjithashtu ndryshoi mënyrën si njerëzit e shohin botën dhe si zgjedhin të jetojnë në të. Sentimentet moderne, vlerat, dhe etika të gjitha janë afektuar radikalisht nga tradita e krishtere. Kjo është e vërtetë për gati të gjithë që jetojnë në Perëndim, pavarësisht nëse besojnë Krishtërimin, ndonjë traditë fetare tjetër, ose në asnjë traditë. Para triumfit të Krishtërimit, Perandoria Romake ishte shumë diverse, por banorët e saj ndanin një set të presupozimeve etike dhe kulturore. Nëse një fjalë do të mund të përmbledhte etikën e përbashkët sociale, politike, dhe personale, do të ishte “dominimi”.
Në një kulturë të dominimit, ata me pushtet pritet të ushtrojnë vullnetin e tyre mbi ata që janë më të dobët. Sunduesit pritet të dominojnë njerëzit e tyre, shefat klientët e tyre, pronarët skllevërit e tyre, burrat gratë e tyre. Kjo ideologji nuk ishte vetëm kapje cinike e pushtetit ose nje modë e vetëdijshme e pushtetit. Ishte pikëpamja “common sense” dhe shumë e vjetër të cilën e pranonte dhe ndante secili, duke përfshirë të dobëtin dhe të margjinalizuarin…Me një ideologji të tillë nuk do të prisnim të gjejmë përkujdesin qeveritar, programe që u asistojnë anëtarëve më të dobët të shoqërisë: të varfërve, të pastrehëve, të uriturve, ose të shtypurve. Nuk do të prisnim të gjejmë spitale qe t’u asistojnë të sëmurëve, lënduarve, ose atyre që janë duke vdekur. Nuk do të prisnim të gjejmë institucione private të bamirësisë të dizajnuara të ndihmojnë ata në nevojë”.
Dhe është për këtë arsye që – e kjo është edhe ironike – edhe ata që kritikojnë fetë, ose përcaktime specifike morale të tyre, këtë e bëjnë me filtra moralë të cilat thellë-thellë janë të rrënjosura në presupozime esencialisht të krishtera. Pikërisht për këtë arsye, Nietzsche do të neveritej nga anti-teistët si Dawkins, Hitchens e të tjerë, sepse njashtu si Kanti e Shopenhaueri, për të edhe ata do të ishin personalitete esencialisht të krishtera, edhe pse në kuptimin kulturor e jo doktrinar, njerëz me “gjak e instinkt teologu”, njerëz me gjak të krishteri!
Vërtet që është fascinante kur e mendon se përfundimi në të cilin kjo shpie është ai se themeli i vlerave perëndimore – edhe pse nëpër kohë të ndryshme i modifikuar por substancialisht i pandryshuar – në fakt ka rrënjë teologjike!
Për dallim nga evolucioni biologjik për të cilin mund të jem më i sigurt sepse përveç që ekziston një konsensus shkencor të dhënat mbi të janë më konkrete dhe robuste, nuk mund ta kem shkallën e njëjtë të sigurisë mbi këtë qëndrim mbi ndikimin e Krishtërimit sepse gjithmonë historia është më komplekse dhe lë më shumë hapësirë për interpretime të ndryshme. Mirëpo, duket të ketë një konsensus në mesin e historianëve të antikitetit, edhe pse mund të ketë mospajtime për sa i përket detajeve, mbi ndikimin revolucionar të Krishtërimit dhe autorët që do të mund të citoheshin janë të panumërt.
Në fakt, për mendimin tim, është vështirë të vihet në fjalë tërmeti kulturor që shkaktoi Krishtërimi. Por është fascinante të mendosh se i gjithë ky qytetërim perëndimor shkon prapa te ky person në kryq dhe ideja se ai u kryqëzua për t’u sakrifikuar për të dobëtin. “Të bekuar janë të dobëtit”, “Mbretëria e Zotit u takon të varfërve”, “i pari (sundimtari, shefi, pronari, shtypësi) do të jetë i fundit, i fundit (viktima, i dobëti, i varfëri, i margjinalizuari) do të jetë i pari”, janë fjali që tradita e krishterë, duke u bazuar në Dhjatën e Re, ia ka atribuuar Jezusit të Nazaretit. Sidomos kjo e fundit enkapsulon më së miri përmbysjen e vlerave për të cilën foli Nietzsche.
Një arsye tjetër pse kjo është aq fascinante për mua, e në këtë rast edhe e frikshme kur e mendojmë, së paku për mua, është se ngre një pyetje tjetër: nëse është e vërtetë që Krishtërimi është përgjegjës për gjithë këtë transformim kulturor dhe ribërje të mendjes perëndimore, atëherë si do të ishte bota sikur Krishtërimi të mos kishte triumfuar? Me shumë gjasë radikalisht ndryshe, ashtu siç bëhet e ditur nga konstatimi edhe i Ehrman i cituar më lart, por këtu me radikalisht më ndryshe dua të them në kuptimin se do të ishte tmerrësisht më e llahtarshme dhe e lemerishme e prandaj edhe më është e frikshme përfytyrimi i botës sikur Krishtërimi të mos e kishte përshkuar atë, duke u shndërruar në forcën hegjemonike më të madhe ndonjëherë!
Ajo që më duket se e përforcon këtë, është mendimi se vlerat fondamentale që promovon Krishtërimi mbi të shtypurin, të dobëtin e të varfërin nuk duket të jenë vlera morale që na vijnë natyrshëm ne si krijesa darviniane. Për Nietzschen, në anën tjetër, i diktuar nga koncepti i tij i vullnetit për pushtet, mësimet e Jezusit nuk janë asgjë tjetër veçse instinkt i hakmarrjes, resentiment, në këtë rast ndaj të privilegjuarve, i rrënjosur në vullnetin për pushtet, vullnet për pushtet për të cilin njeriu jodomosdoshmërisht i vetëdijshëm dhe s’mund të reduktohet në pushtetin shtetëror a ushtarak; pra, është koncept metafizik. Me këtë konceptim të kësaj ideje nënkuptohet lufta e njeriut për të dalë në sipërfaqe, për të shtrirë ndikimin në forma të ndryshme. Për mua ky është lexim depresiv i motivit të vërtetë që udhëheq njeriun.
Sidoqoftë, ideja dhe besimi se Zoti zbriti në Tokë duke u bërë njeri dhe si shërbëtor i njerëzve dhe pranoi të dënohej e të sakrifikohej në kryq si formë solidarizimi me njeriun dhe për t’i treguar se ai është me të në vuajtjen e tij dhe se e kupton vuajtjen e tij, për të bashkëndjerë me të, për njerëzit, për të dobëtin e të shtypurin – besim i cili për shoqërinë romake ishte aq bizar, aq i papranueshëm, skandal e përtej skandaleve për shkak të presupozimeve etike e kulturore të dominimit dhe të përçmimit të të dobëtit – është shpërfaqje e kontrastit drastik mes dy botëve – asaj parakristiane dhe kristiane – dhe për këtë arsye edhe ide aq radikale.
Ideja e Zotit në kryq që vdiq si i dobët për njerëzit, dhe që me “tjetërsimin e të gjitha vlerave” më vonë do të përmbyste domethënien e kryqit nga një simbol i projektimit të pushtetit e fuqisë së një Perandorie mbi të dobëtin, skllavin, margjinalizuarin, shtypurin dhe nga një simbol i poshtërimit e përçmimit të tyre (Perandoria dhe shoqëria romake vdekjen në kryq e konsideronte si vdekjen më poshtëruese të mundshme), në simbol të triumfit të të dobëtit, të të shtypurit, margjinalizuarit, të varfërit është shpikja dhe miti kulturor më revolucionar dhe më i fuqishëm në të gjithë historinë e njerëzimit dhe, për më tepër, për mendimin tim i patejkalueshëm.
Dhe edhe pse nuk jam besimtar, mendoj, dhe do të këmbëngulja, se vlerat fondamentale të Krishtërimit për sa i përket relacioneve mes njerëzve, të shfaqura edhe në formën e filozofisë së liberalizmit e humanizmit, duhet të prezervohen e kultiviohen.
“Po ju, kush thoni se jam?” – Jezusi i Nazaretit (Ungjilli i Markut, 8:29)