Gjatë javës së kaluar Qeveria e Kosovës përmes pakos ‘’Inflacioni 2.0’’. Sipas pakos, 100 euro do të përfitojnë pensionistët, sektori privat, studentët dhe fëmijët.
E lidhur me këtë Aleanca Kosovare e Bizneseve ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me qasjen e pabarabartë ndaj punëtorëve në Kosovë, ku ka thënë se po krijohet një dallim i dukshëm mes sektorit publik dhe sektorit privat.
Sipas AKB-së, Qeveria e Kosovës nuk mund të ndërtojë politika sociale dhe ekonomike të qëndrueshme duke favorizuar vetëm një pjesë të punëtorëve, ndërsa lë anash sektorin që mban barrën kryesore të zhvillimit ekonomik dhe mbushjes së buxhetit të shtetit.
“Sipas të dhënave të disponueshme, Kosova ka rreth 320–330 mijë punëtorë në sektorin privat, ndërsa sektori publik ka rreth 90 mijë të punësuar. Sektori privat mbetet punëdhënësi më i madh dhe kontribuesi kryesor në krijimin e të hyrave buxhetore përmes tatimeve, TVSH-së, kontributeve pensionale, prodhimit, tregtisë dhe shërbimeve. Nëse llogaritet një pagë e 13-të ose shpërblim me mesatare rreth 780 euro për rreth 90 mijë punonjës të sektorit publik, kostoja për buxhetin vlerësohet të jetë rreth 70 milionë euro. Ndërkohë, një mbështetje prej vetëm 100 euro për rreth 330 mijë punëtorë të sektorit privat do të kushtonte rreth 33 milionë euro, ose afërsisht gjysmën e kostos së një mase të tillë për sektorin publik”, thuhet në reagim të AKB-së.
AKB ka ngritur pyetjen publike si mund të shpërblehet vetëm një kategori e punëtorëve nga buxheti i shtetit, kur buxheti mbushet kryesisht nga puna, prodhimi dhe aktiviteti ekonomik i sektorit privat?
“Punëtori i sektorit privat nuk është qytetar i rendit të dytë. Ai është po aq taksapagues, votues dhe konsumator, sa edhe punëtori i sektorit publik. Ai paguan TVSH në çdo produkt që blen, kontribuon në fondet pensionale, mban familjen, krijon qarkullim ekonomik dhe merr pjesë në zhvillimin e vendit. Prandaj, krijimi i standardeve të ndryshme për qytetarët dhe punëtorët e Kosovës rrezikon të krijojë pabarazi ekonomike dhe sociale. AKB nuk është kundër mbështetjes së sektorit publik, por është kundër qasjeve që krijojnë privilegje për njërin sektor dhe lënë jashtë tjetrin”, thuhet në reagim.
AKB ka kërkuar trajtim më të balancuar ndërmjet sektorit publik dhe privat, mbështetje të drejtpërdrejtë për punëtorët e sektorit privat, politika që forcojnë prodhimin, investimet dhe vendet e punës si dhe dialog institucional me komunitetin e biznesit para çdo vendimi me ndikim të madh ekonomik.
“Nuk mund të ketë shtet të fortë me sektor privat të dobësuar. Sektori privat nuk është vetëm burim i taksave – ai është motori i ekonomisë së Kosovës tha në fund Agim Shahini kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve”, thuhet në reagim













