Deputetja e PDK’së, Ariana Musliu-Shoshi, ka pyetur kryeministrin Albin Kurti për strategjinë që do të ndiqet për mbrojtjen në Apel të katër ish-krerëve të UÇK’së në Hagë.
Ajo pyeti nëse Qeveria ka ndarë buxhet të veçantë për zbatimin e kësaj strategjie dhe për planin e angazhimit të ekspertëve ndërkombëtarë, si dhe masat konkrete në mbështetje të avokatëve.
Kurti në përgjigje tha se pas formimit të Grupit Punues, ai do ta ketë në përgjegjësi hartimin e masave e mekanizmave, si dhe kostos që kërkohet për këtë çështje, ndërsa tha se kostot do të përfshihen në buxhetin e vitit të ardhshëm.
“Ne kemi afatin deri më 31 tetor që ta votojmë Buxhetin 2027. Natyrisht që aty do të përfshihen të gjitha linjat e nevojshme për secilën fushë, por edhe çështjen e mbështetjes financiare të katërshes. Ta kemi parasysh se së pari strategjia dhe më pas kostot. Njëherë ideja, vizioni, mekanizmi dhe masat dhe më pas kostoja e tyre, jo kostoja para mekanizmit e vizionit. Së dyti, duhet t’ia lëmë punën këtij grupi punues, prandaj edhe e kemi formuar. S’mund të bëhem zëdhënës paragjykues i punës që do të bëjë Grupi Punues. Duhet t’i presim ata që t’i mbajnë takimet dhe të na sjellin rezultatin e punës. Grupi është gjithëpërfshirës. Do të ketë edhe nga një përfaqësues edhe nga secili grup parlamentar këtu. Qëllimi ynë është që njëmend të jetë strategji shtetërore. Veprimet e caktuara do të kenë kosto dhe do të mbështeten. Duhet ta lëmë grupin punues të punojë”.
Para kësaj deklarate, Kurti përsëriti se padrejtësia në Hagë “duhet të korrigjohet”.














