Kryeministri Albin Kurti, i cili më herët kërkonte emra nga opozita për president, tani është reduktuar vetëm në emrin e kandidatit të tij, Glauk Konjufcës.
“Pas aktgjykimit u takova me LDK-në, PDK-ja refuzoi. LDK-së ia kam bërë dy oferta, njërën për bashkëqeverisje, tjetrën për rrokadë në Kryesinë e Kuvendit. Pastaj, PDK-së për rrokadë në Kryesinë e Kuvendit, po thjesht nuk po më duken të gatshëm dhe të interesuar për marrëveshje dhe ky është një dëm i madh për shtetin e Kosovës”.
Kësaj deklarate të tij i është përgjigjur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri.
Tahiri në një prononcim për media, ka thënë se PDK-ja nuk ka refuzuar asnjë takim, por Kurti ka refuzuar ta konkretizojë iniciativën e re të tij përmes një letre zyrtare dhe për shkak të refuzimit të tij, nuk janë zhvilluar më takime.
Ai ka thënë se tashmë kjo çështje është e përfunduar, pasi që Këshilli Drejtues ka vendosur ta konsiderojë të përmbyllur kontributin e PDK-së në këtë proces.
“PDK-ja s’ka refuzuar asnjë takim. PDK-së nuk i ka ardhur asnjë ftesë formale në adresë të saj. Kemi shkuar në të gjitha takimet ku jemi ftuar në raundin e parë, në secilën ditë dhe në secilin vend. Kemi pritur katër javë të plota në raundin e dytë, pas afatit 34 ditor të Gjykatës Kushtetuese dhe asnjë ftesë zyrtare në adresë të PDK-së nuk ka ardhur. Mos të flasim pastaj për mesazhet e Whatsapp-it, me kërkesa për pazare, të cilët, thënë butësisht ishin edhe qesharakë. PDK-ja e trajton me seriozitet shtetin, të cilin ka dhënë kontribut kyç për ta formuar dhe ndërtuar. Zgjedhjet, nëse shkojmë, janë kryekëput pasojë e papërgjegjësisë së tij, mungesës së vullnetit politik dhe dëshirës për kontroll absolut institucional prej tij” tha Tahiri.
Ndërsa, lidhur me deklaratën e Kurtit për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, Tahiri tha se është vet Kurti ai që thoshte “Shko Hashim” dhe si kryeministër nuk e ka marrë mundin as t’i vizitojë në Hagë.















