Komuna e Fushë Kosovës dyshohet se ka zbatuar standarde të dyfishta gjatë vlerësimit të ofertave për tenderin 260 mijë eurosh për vendosjen e ndriçimit publik në qytet dhe fshatra. Eksperti shqyrtues i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Ilir Halili, ka konstatuar se kompania “ETM Group”, e cila ishte eliminuar nga gara, fillimisht ishte pyetur për një çështje, ndërsa më pas ishte eliminuar për një arsye tjetër.
Në raportin e ekspertizës, të dorëzuar më 19 tetor 2026, Halili e ka vlerësuar pjesërisht të bazuar ankesën e “ETM Group”, e cila kundërshtoi rekomandimin për dhënie të kontratës kompanisë “TONI INXHINJERING”. Sipas ekspertit, Komuna kishte kërkuar sqarime për kualifikimet e punëtorëve, por në vendimin për eliminim ishte thirrur në mungesën e licencës së inxhinierit të elektroteknikës, për të cilën paraprakisht nuk kishte kërkuar sqarime.

Ankesa ka ngritur dyshime edhe për kualifikimet profesionale të stafit të kompanisë së rekomanduar për kontratë. “ETM Group” ka pretenduar se disa nga punëtorët e paraqitur nga “TONI INXHINJERING” kishin profile të informatikës dhe telekomunikacionit, e jo të elektricistit, siç kërkohej në dosjen e tenderit. Po ashtu, në ankesë janë përmendur edhe dy persona për të cilët pretendohet se nuk kishin diploma. Eksperti ka vlerësuar se ky pretendim është pjesërisht i bazuar, duke theksuar se nuk është e qartë nëse profilet e informatikës dhe telekomunikacionit janë ekuivalente me atë të elektricistit.
Në raport, Halili ka konstatuar se Komuna nuk ka dëshmuar trajtim të barabartë të operatorëve ekonomikë dhe ka rekomanduar që gjatë rivlerësimit, çdo tolerim ndaj kërkesave të dosjes së tenderit të zbatohet njësoj për të gjithë ofertuesit, veçanërisht për ata që kanë ofruar çmime më të ulëta se kompania e rekomanduar për kontratë.
Për këtë arsye, eksperti i ka propozuar panelit shqyrtues të OSHP-së që ankesa e “ETM Group” të aprovohet si pjesërisht e bazuar, të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës dhe aktiviteti i prokurimit të kthehet në rivlerësim. Vendimi përfundimtar i takon panelit shqyrtues të OSHP-së.














