Biznesmeni Valon Lluka ka reaguar pas lirimit nga paraburgimi, duke kritikuar arsyetimin e vendimeve gjyqësore dhe duke shprehur bindjen për pafajësinë e tij.
Në një reagim në Facebook, Lluka ka thënë se vendimet e fundit gjyqësore kanë ngritur pikëpyetje mbi bazën e paraburgimit të tij.
“Gjykata Supreme ka konstatuar mangësi në arsyetimin e vendimeve të mëparshme lidhur me paraburgimin, ndërsa tashmë edhe Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e Prokurorisë kundër vendimit për lirimin tim.”
Ai ka theksuar se këto zhvillime nuk mund t’i zhbëjnë pasojat personale dhe familjare.
“Këto vendime kanë rëndësi të veçantë për mua, por nuk mund ta kthejnë kohën e humbur, shqetësimin e shkaktuar familjes sime dhe pasojat që një proces i tillë mund të lërë në reputacionin personal dhe profesional.”
Lluka ka shprehur bindjen se procesi do të përfundojë me vërtetimin e pafajësisë së tij.
“Jam plotësisht i bindur se, në përfundim të këtij procesi, faktet dhe provat do të dëshmojnë pafajësinë time të plotë.”
Lluka u arrestua më 7 tetor, nën dyshimet për katër vepra penale, përfshirë mashtrimin dhe keqpërdorimin e autorizimeve ekonomike.
Më 29 tetor ai u lirua me vendimit të Gjykatës Supreme.















