Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon paraqitja e deklaratave përmbyllëse të ZPS-së në gjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe bashkë të akuzuarve Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, të cilët akuzohen për pengim të administrimit të drejtësisë.
Në deklaratën përmbyllëse, Prokurori i Specializuar Joshua Hafetz u ndal te komunikimet e Thaçit gjatë vizitave në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, duke paraqitur pretendimet e Prokurorisë për mënyrën se si ai kishte diskutuar për dëshmitarët e çështjes.
Hafetz foli për vizitën e 9 shtatorit 2023, kur Thaçi ishte vizituar nga Bashkim Smakaj, së bashku me Artan Behramin, Blerim Shalën dhe Ismail Sylën. Sipas prokurorit, vizita kishte zgjatur rreth tri orë dhe ishte incizuar.
Fillimisht, sipas tij, biseda kishte qenë e zakonshme, por më pas Thaçi kishte nisur të diskutonte për gjykimin e tij.
Prokurori pretendoi se gjatë kësaj bisede Thaçi kishte ndarë informacione konfidenciale për dëshmitarë, ndërsa kishte identifikuar edhe një dëshmitar të mbrojtur duke përmendur emrin dhe mbiemrin e tij të plotë.
“Më konkretisht, pasi shprehu aprovimin e tij, apo kënaqësinë e tij për sa i përket dëshmisë së Remi Mustafës, e cila ishte e njëjta dëshmi që kishte udhëzuar Fazliun që të jepte udhëzimet e veta më 2 korrik, Thaçi përsëri ndau informacion konfidencial të dëshmitarëve”, tha Hafetz.
Ai shtoi se Thaçi kishte diskutuar edhe pjesë të dëshmisë private të një dëshmitari tjetër të mbrojtur.
Por një pjesë tjetër e deklaratës së prokurorit lidhej me Bislim Zyrapin, dëshmitarin e dytë në gjyqin e madh ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Sipas Hafetz, rreth dy orë pas fillimit të vizitës, Thaçi kishte diskutuar për vizitën e parashikuar të Zyrapit, të cilin më herët e kishte identifikuar për Hajredin Kuçin si dëshmitar të rëndësishëm, madje si “dëshmitarin më të rëndësishëm”.
Prokuroria pretendon se Thaçi kishte dhënë udhëzime lidhur me mënyrën se si Zyrapi duhej të dëshmonte.
“Thaçi thekson rëndësinë që Zyrapi të mos thotë shumë. Këtë e thekson me Smakajn dhe Shalën. Pra ai thotë që Zyrapi duhet të japë sa më shkurt dëshminë, dhe këto janë udhëzime që Thaçi i ka dhënë edhe për dëshmitarët e tjerë”, deklaroi prokurori Hafetz.













