Një re e madhe tymi të bardhë është parë të ngrihet në jug-lindje të Teheranit, pas një seri shpërthimesh të reja. Lajmin e bën të ditur agjencia “AF”, që citon gazetarët e saj në terren.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz ka njoftuar se forcat ajrore sapo kanë shkatërruar selinë e shërbimit për sigurinë e brendshme të Iranit.
“Bëhet fjalë për krahun e represionit të diktatorit iranian. Do vazhdojmë të godasim simbolet e pushtetit dhe regjimin e ajatollahëve ngado”, ka thënë Katz.
Ndërkohë, krahas sulmeve me armë tradicionale, shteti hebre ka sulmuar Republikën Islamike dhe në mënyrë kibernetike. Kështu, grupi pro-izraelit i hakerave, “Harabeli-gjahtar”, ka goditur tregun më të madh të këmbimit të kriptovalutave të Iranit.
Bëhet fjalë për tregun e njohur si “Nobitex”, sulmi i të cilit ka ardhur një ditë pas atij ndaj bankës kryesore iraniane. “Harabeli-gjahtar” ka kërcënuar se do të shpërndajë informacionet e bursës brenda 24 orëve, duke e akuzuar “Nobitex” për financim të terrorizmit dhe shmangie të sanksioneve ndërkombëtare.
Ndërkohë, për të rritur presionin ndaj Republikës Islamike, aeroplanmbajtësja amerikane “USS Ford Carrier” do të dërgohet në Lindjen e Mesme javën e ardhshme, duke e çuar në 3 numrin e anijeve luftarake të Shteteve të Bashkuara në rajon.
Po ashtu, administrata amerikane po merr masa për të evakuuar shtetasit amerikanë nga Izraeli. Lajmi është konfirmuar nga ambasadori i SHBA, Mike Huckabee.