Edhe pse u arrit të zgjedhet kryetari i Kuvendit, ngërçi institucional po vazhdon.
Çështja ka mbetur tek zgjedhur e nënkryetarit nga komuniteti serb, gjë për të cilën Lista Serbe i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese me një vendim të nxjerrë ditë më parë vendosi masë të përkohshme prej 30 ditësh duke ndaluar çdo veprim të deputetëve.
E konstituimi i plotë i këtij institucioni dhe i Qeverisë po duket ende larg.
Në lidhje me këtë çështje ka folur për “Gazeta Blic”,njohësi i zhvillimeve politike në vend, Burim Ramadani.
Ramadani tha se ‘është e qartë se nuk ka Qeveri të re në vitin 2025’.
Ai potencoi se ka mundësi të madhe që bllokada të vazhdojë edhe pas Vitit të Ri dhe ka rrezik për kolapsim të shtetit.
“Duket krejtësisht e qartë se nuk ka Qeveri të re në vitin 2025. Rrjedhimisht, mundësia që bllokada të kalojë edhe pas Vitit të Ri është e madhe dhe kështu paraqet fazë të avancuar të rrezikut për kolapsimin e shtetit.Kosova nuk ka Qeveri, sepse nuk ka Parlament” tha Ramadani për “Gazeta Blic”.
Analisti, Ramadani, tha se vendi nuk do të ketë as President dhe rrjedhimisht mbetet në një situatë të rrezikut të sigurisë kombëtare.
“Në fillim të vitit të ardhshëm nuk do të ketë as President dhe rrjedhimisht mbetet në një situatë të rrezikut të sigurisë kombëtare, duke bërë që asnjë institucion të mos jetë në kryerje të kompetencave dhe autorizimeve kushtetuese.Tash për tash po shohim kolaps institucional brenda institucioneve, ndërsa në mars 2026 rrezikojmë të kemi kolaps financiar.Kjo ndërlidhet me rrezikun që të merr dimension të kolapsit të sigurisë” deklaroi ai.
Ramadani tha se zgjedhjet po shihen si e vetmja rrugë për të ecur përpara.
“Zgjedhjet e shpejta duket se janë e vetmja rrugë përpara, duke parë që nuk ka Qeveri Kurti 3 dhe nuk ka as shumicë të partive opozitare” tha Ramadani në përgjigjen e dhënë për.“Gazeta Blic”.