Klinikat që mbjellin flokë në Kosovë pa licencë ose me staf të palicencuar e pa kualifikuar janë kthyer në sfidë për shtetin, ku një numër i madh i tyre janë biznese të krijuara nga shtetas të Turqisë.
Veriu.info ka siguruar një vendim të Inspektoratit Shëndetësor me të cilin klinika “Sapphire Med L.L.C.” është gjobitur me 3 mijë euro, pasi që ka ushtruar veprimtari pa licencë dhe pa ofruar shërbime shëndetësore me staf të palicencuar.
Në arsyetimin e vendimit të Inspektoratit Shëndetësor që mban datën 19 mars 2026, bëhet e ditur se gjatë inspektimit të realizuar më 5 mars në klinikën “Sapphire Med L.L.C” – Ambulancë Specialistike e Dermatologjisë në Prishtinë, kanë gjetur se në këtë institucion ofronin shërbime shëndetësore në mënyrë të kundërligjshme Lorita Limani, Fikrete Lushtaku dhe Eren Turk, ndërsa asnjëri nga stafi i licencuar nuk ishte prezent gjatë inspektimit.
Veriu.info mëson se në shumë raste, klinikat private licencojnë staf vetëm sa për t’ua përdorur diplomat, ndërsa punën e kryejnë persona të tjerë të palicencuar.
“Në këtë institucion privat shëndetësor shërbimet shëndetësore ofroheshin edhe nga znj. Lorita Limani (nuk na u prezantua licenca e saj gjatë inspektimit dhe as deri në momentin e përpilimit të këtij raporti), znj. Fikrete Lushtaku, Baçelor i Shkencave në Infermieri, me licencë valide deri më 01/12/2028 dhe z. Eren Turk, për të cilin nuk na prezantuan asnjë dokumentacion, mirëpo që të tre kanë ofruar shërbime shëndetësore duke mos qenë të licencuar nga Divizioni për Licencim dhe Akreditim nga Ministria e Shëndetësisë”, thuhet në vendimin e siguruar nga Veriu.info.
Anomalitë ligjore e profesionale në klinikën për mbjelljen e flokëve “Sapphire Med” nuk përfundojnë me kaq, pasi inspektorët kanë zbuluar se aty janë kryer shërbime PRP dhe shërbime për largimin e tatuazheve me laser, pa qenë të lajmëruara e as licencuara në Divizionin për Licencim dhe Akreditim në Ministrinë e Shëndetësisë.


“Gjatë inspektimit, konstatuam se në institucionin privat shëndetësor “Sapphire Med L.L.C” Ambulancë Specialistike e Dermatologjisë, në Rr. Sofokliu, 70, Prishtinë, ofrohej shërbim shëndetësor i dermatologjisë, pa praninë e specialistit të Dermatovenerologjisë në kundërshtim me Nenin 18, paragrafi 1, nën paragrafi 1.27, të Udhëzimit Administrativ (në Shëndetësi) Nr. 02/2025 Kushtet dhe Procedurat për ushtrimin e veprimtarisë shëndetësore në institucionet private”, shkruhet në vendim për gjetjen tjetër skandaloze në klinikën “Sapphire Med”
Edhe pse “Sapphire Med” është e licencuar të punojë vetëm të hënave, mërkureve dhe premteve, inspektorët kanë gjetur se kjo klinikë punon kundërligjshëm edhe gjatë ditëve tjera.



Në vendim është edhe një e gjetur skandaloze, që mund të interpretohet edhe sfidim i shtetit të Kosovës, pasi që është konstatuar se në “Sapphire Med” një pjesë relativisht e madhe e dokumentacionit ishte në gjuhën turke dhe jo në gjuhë zyrtare të Republikës së Kosovës, duke mos u respektuar Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Për krejt këto të gjetura të shumta skandaloze, “Sapphire Med” është gjobitur me vetëm 3 mijë euro nga inspektorja Mimoza Tmava Aliu.
Kush është “Sapphire Med L.L.C.”?
Kompania “Sapphire Med L.L.C” që në publik paraqitet me emrat “Sapphire Med Kosova” dhe “Sapphire Hair Clinic” është e themeluar në vitin 2023 në Prishtinë me kapital prej 20 mijë euro.
Shtetasit turq Emin Kaya dhe Gokhan Goç janë aksionarë të vetëm të kompanisë me nga 50% të aksioneve.


“Sapphire Med” në ARBK si aktivitet kryesor ka të lajmëruar ‘Sallonet e floktarisë dhe trajtimet e tjera të bukurisë’, përderisa si aktivitet sekondar ka ‘Tregtia me pakicë e artikujve kozmetikë dhe të tualetit, në dyqane të specializuara’
Veriu.info ka tentuar të marrë një qëndrim nga “Sapphire Med L.L.C.” për këtë vendim të Inspektoratit Shëndetësor, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka pranuar përgjigje për pyetjet e dërguara me e-mail.
LEXONI EDHE:













