Teksa zjarret pyjore po përhapen dhe temperaturat po arrijnë nivele rekord në Europë, një produkt i prodhuar në Kinë nuk ka qenë kurrë më i kërkuar: kondicionerët.
Europianët, të cilët kanë qenë më të ngadalshëm në përdorimin e kondicionerëve krahasuar me ata që jetojnë në pjesë të tjera të botës, po rreshtohen para dyqaneve dhe po udhëtojnë në distanca të gjata me shpresën për të siguruar një kondicioner, ndërsa temperaturat përvëluese të verës në disa zona kanë kaluar 100 gradë Fahrenheit.
Markat e mëdha kineze Midea, Gree dhe Haier po raportojnë rritje të shitjeve të kondicionerëve jashtë vendit, pikërisht në kohën kur udhëheqës në vende si Franca, Gjermania dhe Belgjika po kërcënojnë të vendosin tarifa ndaj importeve kineze, për të cilat thonë se po i dëmtojnë industritë e tyre.
Megjithëse kondicionerët përbëjnë një pjesë të vogël të eksporteve kineze drejt Bashkimit Europian, Kina e ka shfrytëzuar rritjen e shitjeve si dëshmi se konsumatorët europianë kanë nevojë për produktet kineze, shkruan CNN.
Një koment i botuar së fundmi nga agjencia zyrtare shtetërore e lajmeve Xinhua kritikoi politikëbërësit europianë për shpërfilljen e nevojave të konsumatorëve. Titulli i tij ishte: “Paradoksi i kondicionerëve: Europa është tepër e nxehtë për tarifa ndaj Kinës”.
“Bllokimi i kondicionerëve kinezë nuk do t’i zgjidhë problemet e Europës – vetëm sa do ta bëjë jetën më të vështirë për njerëzit e zakonshëm”, shkroi autori i artikullit.
Bashkimi Europian dhe Kina do të zhvillojnë diskutime gjatë muajve të ardhshëm për të trajtuar çekuilibrin rekord tregtar prej gati 360 miliardë eurosh, ose rreth 406 miliardë dollarësh, sipas të dhënave të vitit të kaluar. Ky hendek është zgjeruar vitet e fundit, pasi Kina ka rritur eksportet, veçanërisht të automjeteve elektrike dhe hibride, të cilat rrezikojnë t’i zëvendësojnë markat më të mëdha europiane të automjeteve.
“Kjo i bën negociatat tregtare jashtëzakonisht të vështira”, tha Cameron Johnson, ekspert i zinxhirit të furnizimit dhe partner i lartë në kompaninë konsulente Tidalwave Solutions me seli në Shangai.
“Nëse je qeveri, nuk mund t’u thuash njerëzve: ‘Na vjen keq, nuk mund të keni kondicioner sepse ne nuk duam mbikapacitetin kinez’”.












