Roksana Ibrahimi është një emër i njohur në botën e showbizit shqiptar, pasi që ajo ishte kurorëzuar me titullin Miss Universe Kosova 2022. Përveç si figurë e ekranit në botën e shoëbizit, Roksana Ibrahimi viteve të fundit është e njohur edhe si stomatologe, por që puna e saj profesionale del të jetë me probleme të shumta.
Ajo vitin e kaluar ka themeluar kompaninë “Al Dent Group” Sh.P.K., në kuadër të së cilës funksionon klinika dentare “Al Dentix” në Prishtinë. Por kjo klinikë dentare duket se punën e ka nisur me shkelje të shumta, përfshirë edhe shërbime shëndetësore të palicencuara.
Veriu.info ka siguruar një vendim të Inspektoratit Shëndetësor, me të cilin “Al Dent Group” Sh.P.K. e Roksana Ibrahimit është gjobitur me 3 mijë euro për shkelje të Ligjit për Shëndetësi.
Gjatë një inspektimi të bërë më 5 shkurt 2026, inspektorët shëndetësorë kishin gjetur shkeljen e parë ligjore qysh në hyrje të klinikës, pasi që në këtë ambulancë stomatologjike dhe kabinet për radiologji stomatologjike ishte vendosur pllakati me emërtimin “Aldentix Dental Clinic”, që nuk përputhet me emrin e regjistruar në licencën e institucionit. Kjo pasi që në licencë figuron emri “Al Dent Group Sh.P.K.”, ndërsa në logon reklamuese emri “Aldentix Dental Clinic”.
Përkundër gjobës së shqiptuar për ndrrim të emrit në klinkë nga ai që ka në licencë, duket se Roksana Ibrahimi nuk ‘mërzitet’ shumë për organet shtetërore, pasi që ajo në postime publike dhe brenda në lokal (që shihet nga postimet publike), vazhdon të përdorë emrin “Al Dentix” për klinikën e saj. Nga një video e publikuar më 15 korrik, shihet emri “Al Dentix” shihet edhe në hyrje të lokalit.




Edhe shkelja tjetër ligjore e “Al Dent Group Sh.P.K.” nuk ishte vështirë e identifikueshme për inspektorët shëndetësorë, pasi që kjo klinikë nuk kishte siguruar qasjen për persona me aftësi të kufizuara për katin e dytë ku ofrohen shërbime shëndetësore stomatologjike.
“Hapësirat ku ofroheshin shërbimet e Radiologjisë Stomatologjike nuk i plotësonin kushtet e parapara me nenin 57 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 i UA.02/2025 ku përcaktohet se hapësira në të cilën është vendosur aparati i Ortopanit duhet të ketë sipërfaqe prej së paku 8m². Dera e nyjës hyrëse sanitare në katin e parë është e ngushtë dhe nuk përmbush dimensionet minimale të kërkuara në Udhëzimin Administrativ 02/2025 neni 18 paragrafi 1 nënparagrafi 1.15.”, thuhet në vendim të Inspektoratit Shëndetësor, duke theksuar se “Al Dent Group Sh.P.K.” gjatë aplikimit për licencim kishte bërë deklaratë nën betim se i përmbush të gjitha kriteret dhe kushtet e përcaktuara me UA 02/2025 – kushtet dhe procedurat për ushtrimin e veprimtarisë shëndetësore në institucionet private, gjë që në terren ka dalë e kundërta.
Gjetja tjetër në “Al Dent Group Sh.P.K.” ishte ofrimi i shërbimeve në mënyrë të kundërligjshme nga infermierja Eliona Gashi që nga muaji nëntor 2025, duke qenë se e njëjta nuk ishte e lajmëruar e as licencuar në DLA/MSh për të ofruar shërbime shëndetësore në këtë klinikë.
Përveç shkeljeve të lartëpërmendura, gjatë inspektimit ishte konstatuar se në “Al Dent Group Sh.P.K.” ofron edhe shërbime shëndetësore invazive filler, shërbim ky i palicencuar nga Ministria e Shëndetësisë.
“Gjithashtu, gjatë kohës së inspektimit Dr. Roksana Ibrahimi deklaron se në këtë institucion ka ofruar shërbime estetike (filler), të cilat rezultojnë të palajmëruara dhe të palicencuara në DLA/MSh”, thuhet në vendim.
Përveç filler, në “Al Dent Group Sh.P.K.” të Roksana Ibrahimit ishte ofruar edhe një shërbim tjetër shëndetësor i palicencuar, që është botox. Por duket se inspektorëvë nuk iu kanë ‘rënë në sy’ postimet e kësaj klinike në rrjete sociale. Klinika e Roksana Ibrahimit kishte shfrytëzuar edhe muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, për të ofruar kinse zbritje për filler e botox, shërbime shëndetësore për të cilat nuk ka qenë e licencuar.




Mirëpo, i çuditshëm është fakti se si inspektori shëndetësor që e ka hartuar vendimin, Arlindë Hamiti, shërbimin shëndetësor filler e ka emërtuar si ‘shërbim estetik’, duke zvogëluar rëndësinë e shkeljes nga klinika e Roksana Ibrahimit.
Nga analizimi i gjetjeve dhe lartësia e gjobës, Veriu.info është konsultuar me disa ekspertë të fushës për të krahasuar gjetjet gjatë inspektimeve te “Al Dent Group Sh.P.K.” dhe “Dini Dent”, ku përfundimi i gjithë ekspertëve që i kemi konsultuar është se inspektori Arlindë Hamiti në këto dy vendime nuk ka shqiptuar gjoba të njëjta përkah gjetje. Sipas ekspertëve që i kemi konsultuar, gjetjet te “Al Dent Group Sh.P.K.” e Roksana Ibrahimit janë më të mëdha se sa ato te “Dini Dent” i Hajdin Rekaliut, por ky i fundit është gjobitur me 5 mijë euro, 2 mijë më shumë se sa ish Miss Kosova, Roksana Ibrahimi.
Shkeljet ligjore nga klinika Roksana Ibrahimit vazhdojnë me ofrimin e shërbimeve tjera të palicencuara, si: Implanti i dhëmbit, Sinus Lifting, Terapia ortodontike fikse/briketa, nxjerrje kirurgjikale, etj.
Për krejt këto të gjetura gjatë inspektimit të realizuar, klinika e Roksana Ibrahimit është gjobitur me vetëm 3 mijë euro, të cilat nëse paguhen brenda 15 ditësh, lirohet nga 50% e vlerës së gjobës.
Veriu.info ka tentuar të marrë një qëndrim nga “Al Dent Group” Sh.P.K. për këtë vendim të Inspektoratit Shëndetësor, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk kemi pranuar përgjigje për pyetjet e dërguara.


LEXONI EDHE:













