Një mosmarrëveshje për para dhe një investim në Forex ka eskaluar në përleshje fizike mëngjesin e së premtes në Prishtinë, ku një 33-vjeçar ka pësuar lëndime, ndërsa një grua është ndaluar nga Policia.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se në rast janë përfshirë K. R., rreh 32-vjeçar dhe D. D., rreth 33-vjeçar.
Gjithçka dyshohet se ka ndodhur më 14 gusht, rreth orës 07:55, në rrugën “Agron Berisha”, pas një bisede mes tyre lidhur me një investim që kishin bërë në Forex.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, D.D ka deklaruar para hetuesve se gjatë mosmarrëveshjes Ramadani ka nisur ta godasë në fytyrë dhe në trup me çelësa të veturës, duke i shkaktuar lëndime.
Policia ka intervenuar dhe të dy palët janë shoqëruar në stacion, ndërsa D.D është dërguar fillimisht për trajtim mjekësor.
Por një version tjetër për motivin e konfliktit e ka dhënë e dyshuara.
Gjatë intervistimit në praninë e avokatit mbrojtës, K.R ka pranuar se e ka goditur D.D, duke deklaruar se shkak ishte një borxh prej rreth 15 mijë eurosh, të cilin pretendon se ai ia kishte asaj.
Pas intervistimit të palëve është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për “Lëndim të lehtë trupor”.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, K. Ramadani është ndaluar për 48 orë.














