Një video-incizim nga një aheng familjar në fshatin Lubozhdë të Istogut ka çuar Policinë te një 58-vjeçar, i cili dyshohet se kishte shtënë me armë gjatë festës.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Selim Sejdijaj 58-vjeçar.
Rasti është zbuluar pasi Njësia e Hetimeve e Stacionit Policor në Istog ka pranuar një video, në të cilën shihet një person duke shkrepur me armë në një aheng familjar.
Pas pranimit të pamjeve, hetuesit kanë ndërmarrë veprime dhe, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë shkuar te i dyshuari.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Sejdijaj ka pranuar para hetuesve se kishte shtënë me një armë me gaz gjatë ahengut familjar, si dhe se për armën nuk posedonte leje.
Arma është sekuestruar nga Policia, ndërsa 58-vjeçari është shoqëruar në Stacionin Policor në Istog, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar rast për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës” dhe “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Pas përfundimit të procedurave, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.













