Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, duke dënuar gjuhën fyese dhe përçarëse të përdorur gjatë seancës.
Mehaj ka thënë se thirrjet për “pushkatimin e Kryeministrit Ramush Haradinajt” dhe epitetet drejtuar kryeministrit Albin Kurti janë të papranueshme dhe nuk duhet të kenë vend në Kuvend.
Ai ka theksuar se dallimet politike janë pjesë e demokracisë, por nuk duhet të shndërrohen në fyerje, linçim apo mohimin e patriotizmit të njëri-tjetrit.
“Ramush Haradinaj është ish-komandant i Zonës Operative të Dukagjinit, ndërsa familja heroike Haradinaj dhe qindra familje të tjera shqiptare kanë dhënë sakrifica të jashtëzakonshme për lirinë që gëzojmë sot”, ka deklaruar Mehaj.
Në të njëjtën kohë, ai ka vlerësuar se edhe Albin Kurti është pjesë e jetës politike të Kosovës dhe përfaqëson një rrugë politike të krijuar brenda vendit.
“I njoh të dy mirë, dhe asnjëri prej tyre nuk e do Serbinë, e as Rusinë”, ka shkruar Mehaj, duke bërë thirrje për pajtim politik ndërmjet Kurtit dhe Haradinajt.
Mehaj është shprehur i gatshëm të kontribuojë personalisht në afrimin e subjekteve politike shqiptare, nëse një nismë e tillë i shërben interesit të Republikës, stabilitetit politik dhe integrimit evropian e euroatlantik të Kosovës.
Ai ka përmendur VV-në, PDK-në, LDK-në dhe AAK-në si partitë kryesore politike të vendit, duke theksuar se Kosova nuk ka një alternativë tjetër.
“Uniteti nuk do të thotë të mendojmë njësoj. Uniteti do të thotë ta duam të njëjtin vend dhe ta vendosim Kosovën mbi interesat tona politike”, ka përfunduar Mehaj.
Sipas tij, Kosova ka nevojë për stabilitet politik, institucione funksionale, dialog dhe bashkëpunim, ndërsa sfidat e vendit kërkojnë përgjegjësi shtetërore dhe bashkim politik kur është në pyetje interesi i Republikës.
postimi i plotë:
Situata e para dy ditësh në Kuvendin e Republikës sonë ishte vërtet për keqardhje. Pamje, fjalor dhe gjuhë fyese e përçarëse nuk duhet të përsëriten më në institucionin më të lartë të Republikës së Kosovës.
Thirrjet për pushkatimin e Kryeministrit Ramush Haradinajt dhe thirrjet “ Kryeminister Albin Serbia” janë të papranueshme dhe nuk kanë vend në Kuvendin e Kosovës. Mund të kemi dallime të thella politike, por ato nuk duhet të kalojnë në fyerje, linçim apo mohimin e patriotizmit të njëri-tjetrit.
Kryeministri Ramush Haradinaj është ish-komandant i Zonës Operative të Dukagjinit, ndërsa familja heroike Haradinaj dhe qindra familje të tjera shqiptare kanë dhënë sakrifica të jashtëzakonshme për lirinë që gëzojmë sot. Pa Ramushin dhe heronjtë e luftës sonë çlirimtare, Kuvendin veç prej bjeshkëve kishim mujtë me e pa. Po ashtu, kryeministri Albin Kurti është pjesë e jetës politike të Kosovës dhe përfaqëson një rrugë politike të krijuar brenda vendit. Të dy janë shqiptarë dhe pjesë e kësaj Republike. I njoh të dy mirë, dhe asnjëri prej tyre nuk e do Serbinë, e as Rusinë. Prandaj, kam një thirrje nga zemra: Albini dhe Ramushi duhet të gjejnë rrugën e pajtimit politik. Për hir të Republikës, për hir të dëshmorëve dhe për hir të së ardhmes së Kosovës. Ashtu siç kemi ditur të bashkohemi në momente të rëndësishme për vendin, jam i gatshëm, si Armend Mehaj, të veproj dhe të kontribuoj për afrimin dhe përbashkimin e skenës politike shqiptare, aty ku kjo i shërben interesit të Republikës, stabilitetit politik dhe rrugës së saj të ndritur drejt së ardhmes evropiane dhe euroatlantike.
Nuk pretendoj se duhet të mendojmë njësoj. Demokracia ka nevojë për dallime, debat dhe opozitë. Por dallimet politike duhet të na bëjnë më të fortë, jo të na përçajnë.
VV, PDK, LDK dhe AAK janë partitë tona kryesore politike. Këta jemi ne. Kjo është Republika jonë. Nuk kemi një Kosovë tjetër dhe nuk kemi ku të shkojmë tjetër.
Kosova sot ka nevojë për stabilitet politik, institucione funksionale, dialog dhe bashkëpunim. Sfida që kemi përpara kërkojnë përgjegjësi shtetërore dhe një klasë politike që di të bashkohet kur është në pyetje interesi i vendit. Kosova është mbi partitë, mbi individët dhe mbi interesat e momentit politik.
Për Republikën, për dëshmorët, për familjet që sakrifikuan dhe për brezat që vijnë, duhet të dimë të ulemi në një tryezë, të flasim, të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të gjejmë rrugën e përbashkët. Jam i gatshëm të jap kontributin tim në përbashkimin e skenës politike, kurdo që kjo mund ti sjellë dobi Kosovës, stabilitetit të saj dhe rrugës së saj të ndritur drejt së ardhmes.
Uniteti nuk do të thotë të mendojmë njësoj.
Uniteti do të thotë ta duam të njëjtin vend dhe ta vendosim Kosovën mbi interesat tona politike.
Kosova meriton më shumë. Kosova meriton më mirë.













