Në miqësoren ndërmjet Heidenheimit dhe Bayern Munichut ka humbur sërish ndjenjat lojtari i bavarezëve, Jamal Musiala.
Një episod të tillë e pati edhe disa ditë më parë, ku u rrëzua në ndeshjen ndaj RB Leipzigut ku bashkëlojtari i tij, Ismael Saibari reagoi shpejtë duke e ndihmuar atë.
Për këtë, ka reaguar Musiala, i cili tregoi se është në gjendje të mirë shëndetësore. Ai tha se është diagnostikuar me episode të shkurtra dhe të përkohshme të mungesës, të shkaktuara nga një mosfunksionim neurologjik.
Musiala ka thënë se këto episode janë lehtësisht të trajtueshme dhe se aktualisht nuk paraqesin rrezik shtesë për shëndetin e tij.
“Pikë së pari jam mirë! Mbi të gjitha, jam jashtëzakonisht mirënjohës për të gjitha mesazhet dhe mbështetjen tuaj. E kuptoj që shumë prej jush janë të shqetësuar”, ka shkruar Musiala.
Ai ka shpjeguar se episodet neurologjike mund të shkaktojnë momentet që janë parë së fundmi, përfshirë ato në ndeshjet ndaj Leipzigut dhe Heidenheimit.
“E di që mund të duken të frikshme në shikim të parë, por për mua, ato aktualisht janë thjesht pjesë e jetës sime të përditshme. Po marr kujdesin më të mirë të mundshëm mjekësor në këtë drejtim dhe jam shumë optimist”, ka deklaruar ai.
Musiala ka bërë të ditur se është në komunikim të vazhdueshëm me specialistët neurologjikë dhe se, me miratimin e tyre, ka vendosur të vazhdojë aktivitetet e tij të përditshme dhe të luajë futboll.
“Në përgjithësi, kam një ndjenjë shumë të mirë dhe jam në një rrugë të mbarë”, ka shkruar ylli i Bayern Munichut.
Në fund, Musiala ka kërkuar që çështja e tij shëndetësore të mbetet brenda rrethit të tij të ngushtë, klubit dhe ekspertëve mjekësorë.












