Gjithçka filloi në një dasmë.
Një dasmë çoi te transferimi i Rodrit nga Manchester City te Barcelona. Kampionët e La Ligës mposhtën interesimin e rivalit Real Madrid për të përmbyllur një transferim që, me përfshirë bonuset, mund të arrijë vlerën e 76.5 milionë eurove (65.3 milionë funte; 87.8 milionë dollarë), raporton New York Times.
Në fund të korrikut, Rodri ishte me pushime në Costa Brava. Pak pasi kishte ngritur Kupën e Botës dhe ishte shpallur lojtari më i mirë i turneut, kapiteni 30-vjeçar i Spanjës ndodhej atje për të marrë pjesë në dasmën e Dani Codinës, një miku të vjetër, përcjell Insajderi.
Codina është drejtues i operacioneve dhe shërbimeve për lojtarët te Barcelona, një pozitë që e mori në vitin 2025. Ai kishte punuar në një rol të ngjashëm te Manchester City, ku u njoh dhe u afrua me Rodrin. Në dasmën në verilindje të Spanjës morën pjesë edhe disa pjesëtarë të stafit të Cityt nën drejtimin e Pep Guardiolës.
Rodri kishte mbërritur mjaftueshëm herët para ceremonisë për të kaluar disa ditë duke pushuar në një prej peizazheve më piktoreske të Katalonjës, rreth dy orë me makinë përgjatë bregdetit nga Barcelona.
Por, gjatë njërës prej këtyre ditëve, ai kishte një çështje për të zgjidhur dhe për këtë i duhej një favor. Kërkesa e tij ishte shumë specifike: po kërkonte një vend të qetë ku të takohej me dikë për drekë, duke theksuar se duhej patjetër të mos binte në sy.
Rodri u drejtua te një restorant në Begur, të quajtur Can Pitu, një lokal tradicional në një prej qyteteve më të vizituara të zonës. Begur është i mbushur me dyqane dhe restorante, por Can Pitu është disi jashtë vëmendjes. I vjetër, modest dhe larg rrugëve më turistike, restoranti frekuentohet kryesisht nga vendasit që e dinë gjënë më të rëndësishme: ushqimi është i shkëlqyer.
Rodri hyri në restorant pa rezervim dhe kërkoi një tavolinë. Disa minuta më vonë, në lokal hyri drejtori sportiv i Barcelonës, Deco. Askush aty nuk bëri bujë dhe nuk kërkoi fotografi.
Fotografitë e të dyve bashkë do të kishin qenë një ekskluzivitet i madh. Në atë kohë, dukej se Rodri do të largohej nga Manchester City për t’iu bashkuar Real Madridit. Burime pranë klubit 15 herë kampion të Evropës — të gjitha burimet e cituara në këtë artikull folën në kushte anonimiteti për të mbrojtur marrëdhëniet e tyre — dukeshin të sigurta se marrëveshja do të arrihej.
Gjatë dasmës së Codinës, më 25 korrik, mes të ftuarve qarkullonte fjala se Rodri kishte ndryshuar mendje dhe dëshironte t’i bashkohej Barcelonës. Pamjet e tij duke kënduar dhe vallëzuar me këngë të Barcelonës në festë do të shpërndaheshin në rrjetet sociale disa javë më vonë.
Në Costa Brava, dukej se mundësia që Barcelona ta rrëmbente transferimin po rritej, por ende kishte hapa të rëndësishëm për t’u ndërmarrë drejt një kalimi në Camp Nou. Në Madrid, ndërkohë, mesazhi që vinte nga Santiago Bernabeu ishte ende optimist. Disa burime madje e konsideronin ardhjen e tij si punë të kryer, ndonëse Madridi nuk kishte kontaktuar ende Manchester Cityn.
Në prapaskenë, bisedimet mes përfaqësuesve të Rodrit dhe Barcelonës vazhdonin. Më 5 gusht, Deco udhëtoi sërish, këtë herë drejt Madridit, për një tjetër takim kyç.
Të nesërmen, The Athletic raportoi se Barcelona po shqyrtonte një marrëveshje për Rodrin, i cili preferonte kalimin te katalanasit.
Në Madrid, lajmi ishte një goditje për planet e rindërtimit të skuadrës nën drejtimin e trajnerit të ri, Jose Mourinho. Po atë ditë, klubi njoftoi transferimin e Yan Diomandes nga RB Leipzig, në një marrëveshje që mund të arrijë deri në 140 milionë euro. Në rrjetet sociale, dhjetëra tifozë kritikuan klubin për dështimin për të transferuar Rodrin.
Barcelona po vepronte me kujdes maksimal. Strategjia e Decos për transferimet është që gjithçka të mbahet sa më e mbyllur. Në shumicën e operacioneve, vetëm një numër shumë i vogël personash informohen për zhvillimet nga zyra e tij.
Në rastin e Rodrit, Deco dhe drejtuesit e Barcelonës donin të ishin veçanërisht të kujdesshëm. Ata tashmë kishin marrë një mësim të vështirë nga tentativa për të transferuar Bernardo Silvën këtë verë.
Barcelona kishte kontaktuar Bernardon dhe përfaqësuesit e tij për ta transferuar si lojtar të lirë, pasi kontrata e tij me Manchester Cityn kishte skaduar. Ata besonin se kishin arritur një marrëveshje verbale për transferimin e tij.
Megjithatë, Bernardo vazhdoi të dëgjonte ofertat dhe Real Madridi bëri lëvizjen e tij, duke bindur mesfushorin portugez që t’i bashkohej. Për këtë arsye, Barcelona donte garanci se Rodri ishte plotësisht i bindur për kalimin para se të hynte në negociata me Manchester Cityn.
Burime pranë situatës thonë se vendimi i Rodrit për të ndryshuar preferencën nga Madridi te Barcelona lidhej kryesisht me mënyrën se si luan klubi katalanas. Ai parashikonte një stil që i përshtatet më mirë lojës së tij dhe që i ngjan atij me të cilin është mësuar te City dhe te kombëtarja e Spanjës.
Përveç lëvizjeve të Decos dhe takimeve sekrete gjatë drekës, edhe trajneri Hansi Flick foli disa herë me Rodrin, ndërsa Barcelona kërkonte ta avanconte transferimin. Flick ishte i etur për të shtuar përvojën dhe lidershipin e Rodrit në një skuadër të talentuar, por të re në moshë, që ka fituar dy tituj radhazi të La Ligës.
Megjithatë, tetë futbollistët e Barcelonës që ishin pjesë e Spanjës së bashku me Rodrin në Kupën e Botës këtë verë nuk patën ndonjë rol të rëndësishëm në përpjekjet për ta bindur atë.
Në të kundërt, kur në Madrid u shfaqën shqetësimet për lëvizjet e Barcelonës, drejtuesit e klubit kërkuan nga lojtarët e skuadrës dhe persona të tjerë me lidhje me Rodrin që të kontaktonin me të dhe të siguroheshin se ai ishte ende i bindur për t’iu bashkuar Real Madridit. Pavarësisht këtyre përpjekjeve, dukej se vendimi i tij tashmë ishte marrë.
Madridi beson se i kishte bërë Rodrit një ofertë të mirë, si në aspektin sportiv, ashtu edhe financiar. Është gjithashtu e vërtetë se, para Kupës së Botës, Madridi nuk po e konsideronte transferimin e tij.
Kishte dyshime për gjendjen e tij fizike dhe moshën, ndërsa ishte arritur një marrëveshje për kontratë të re me mesfushorin defensiv Aurelien Tchouamenin. Emri i Rodrit ishte lidhur gjithashtu me Enrique Riquelmen, kandidatin opozitar ndaj Florentino Perezit në zgjedhjet presidenciale të qershorit.
Por Kupa e Botës ndryshoi gjithçka. Edhe pse burimet në Madrid e respektonin vendimin e tij për të zgjedhur Barcelonën, paraqitjet e tij me Spanjën ishin një dëshmi e qartë se sa dominues mund të jetë ende në një pozitë ku Madridi ka pasur vështirësi të gjejë zëvendësues që nga largimi i Toni Kroosit në vitin 2024 dhe Luka Modriqit në vitin 2025.












