Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Kur absurdi i shtetit bektashi bëhet normalitet: Deliri mesjetar i një republike të marrë peng

22/08/2026 - 11:56
në Opinione
A A
Kur absurdi i shtetit bektashi bëhet normalitet: Deliri mesjetar i një republike të marrë peng
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Shkruan: Adri Nurellari

Rikthimi i debatit për të ashtuquajturin “shtet bektashi” dëshmon qartë se si absurdi mund të riciklohet vazhdimisht në mënyrë kokëfortë, derisa të pranohet e të shitet si normalitet. Në cilin vend normal të botës një kryeministër zgjohet në mëngjes dhe vendos, me arrogancën e një despoti feudal, të falë copa të territorit kombëtar për të ngritur një mikroshtet teokratik mu në mes të kryeqytetit? Dhe këtu, ndoshta gjëja më shqetësuese nuk është vetëm vetë ideja, por lehtësia marramendëse me të cilën flitet për copëtim sovraniteti, krijim mikroshtetesh fetare dhe ndryshim kufijsh brenda territorit të Republikës, sikur të ishte duke propozuar hapjen e një muzeu apo themelimin e një OJQ-je të re.

Por edhe më alarmues është fakti se një propozim i tillë nuk shkakton tronditjen publike që do të pritej. Diskutohet me një normalitet të habitshëm, sikur sovraniteti i Republikës të ishte një çështje teknike. Kjo tregon deri ku ka mbërritur degradimi i debatit publik dhe izolimi ynë mendor. Kur pushteti qëndron tepër gjatë pa kundërpesha reale, pa presion qytetar, pa kontroll ligjor, ai fillon të humbasë jo vetëm vetëpërmbajtjen politike, por edhe sensin e masës. Idetë që dje do të dukeshin të paimagjinueshme në një vend normal, sot hidhen në publik pa pikën e turpit si prova vizioni dhe moderniteti.

Ka gjëra që në demokracitë serioze konsiderohen tabu politike jo sepse mungon liria për t’i diskutuar, por sepse prekin themelet mbi të cilat është ngritur vetë shteti. . Nenin 1 i Kushtetutës e shpall Shqipërinë republikë unitare e të pandashme, dhe Neni 10, sanksionon laicitetin dhe neutralitetin absolut të shtetit ndaj besimeve fetare. Territori, sovraniteti, karakteri unitar i Republikës dhe barazia e bashkësive fetare nuk janë prona personale të një kryeministri, që mund të përdoren për eksperimente politike apo për të prodhuar tituj ekzotikë në mediat ndërkombëtare. Mirëpo kjo sagë groteske nuk është thjesht një lajthitje politike e radhës; është një fyerje brutale ndaj inteligjencës qytetare dhe një atentat i hapur kundër karakterit unitar e laik të Republikës së Shqipërisë. Territori, sovraniteti, uniteti kombëtar dhe Kushtetuta nuk janë prona private të qeverisë, as poça balte që një pushtet i dehur nga vetëkënaqësia i gatuan, i formëson e i thyen si t’i teket për të blerë disa minuta vëmendje në mediat ndërkombëtare.

Pa hyrë fare te çështja nëse shkëputja e një pjese të territorit kombëtar mund të konsiderohet akt i tradhtisë së lartë, ky projekt dëshmon një botëkuptim thellësisht anakronik. Po shpërfillet një nga themelet e shtetit modern, rendi vestfalian i vitit 1648, i cili sanksionon një territor të pandashëm mbi të cilin ushtrohet një autoritet i vetëm dhe suprem. Europa derdhi lumenj gjaku për shekuj me radhë që të ndante altarin nga froni dhe fenë nga pushteti politik. Pra, kontinentit tonë i janë dashur shekuj për të dalë nga një rend ku pushteti fetar dhe ai politik ndërthureshin, ku autoritetet shpirtërore ushtronin pushtet tokësor dhe ku territoret copëtoheshin mes juridiksionesh konkurruese. Ndërsa ne, në shekullin XXI, katandisemi duke diskutuar seriozisht krijimin e një shteti fetar teokratik brenda territorit të një republike laike, një formë qeverisjeje e traditës mesjetare që sot lidhet me raste të jashtëzakonshme si Vatikani dhe Irani. Prandaj duhet thënë shkurt e shqip se të ringjallësh sot mikroshtete me bazë fetare mbi truallin e një republike laike nuk është as modernitet e as tolerancë, por është regres i pastër civilizues.

Këtu hipokrizia bëhet e padurueshme sepse, ndërsa pretendojmë se po ecim drejt Bashkimit Europian, propozojmë të lëvizim në drejtimin e kundërt. Ndërsa recitojmë përditë klishe bajate mbi integrimin europian, tentojmë të fusim në zemër të Shqipërisë një koncept thellësisht anakronik, mesjetar dhe obskurantist. Ky projekt bie ndesh hapur me vetë ADN-në politike dhe juridike të Bashkimit Europian. Kriteret e Kopenhagës dhe i gjithë korpusi i së drejtës europiane ngrihen mbi parimin e panegociueshëm të shtetit të së drejtës, unitetit të rendit ligjor, neutralitetit të shtetit dhe barazisë absolute të komuniteteve para ligjit. Në arkitekturën moderne europiane, shteti vepron si garantues laik i lirive të ndërgjegjes, jo si një oborr feudal që fal sovranitet territorial dhe shpik enklava teokratike me preferenca konfesionale.

Krijimi i një mikroshteti fetar brenda një vendi kandidat jo vetëm që minon rëndë parimin e mosdiskriminimit mes besimeve, por krijon zona gri juridike që kërcënojnë sigurinë dhe standardet e transparencës institucionale. Një entitet sovran “offshore” prej disa hektarësh brenda kryeqytetit, me imunitet diplomatik, kufij më vete dhe jashtë juridiksionit të Policisë së Shtetit apo SPAK-ut padyshim që do konsiderohet si një vrimë të zezë të sigurisë kombëtare dhe një parajsë potenciale për transaksione të errëta financiare. Rrjedhimisht, të trokasësh në dyert e Brukselit duke mbajtur në xhep një pazar sovraniteti mesjetar nuk është axhendë integrimi, por sabotim i hapur i vetë vlerave mbi të cilat ngrihet projekti europian.

Por, para se të konsiderohet primitiv e antieuropian, ky projekt është thellësisht edhe antikombëtar, sepse cenon pabesisht vetë thelbin e harmonisë sonë fetare. Shqipëria nuk e ndërtoi harmoninë fetare duke ngritur kufij mes besimeve, por duke i kapërcyer ato. Madje këtu qëndron edhe epërsia morale e shtetit shqiptar ndaj fqinjëve që, gjatë shtetformimit, synuan homogjenizimin fetar e etnik përmes dëbimit, konvertimit, asimilimit apo shfarosjes së komuniteteve të tjera. Pikërisht ky ka qenë modeli ynë i veçantë, sunitë, bektashinj, ortodoksë dhe katolikë brenda së njëjtës hapësirë politike, nën të njëjtin sovranitet dhe me të njëjtën shtetësi. T’i japësh njërës bashkësi territor, sovranitet dhe shtetësi të veçantë nuk është kurorëzim i këtij modeli, por përmbysje e logjikës së tij. Modeli ynë historik nuk u ngrit mbi mure, kufij territorialë apo imunitete juridike, por mbi barazinë absolute qytetare nën një ligj të vetëm. Toleranca shqiptare funksionoi pikërisht sepse feja nuk u kthye në territor dhe territori nuk u nda sipas fesë. Si mund të mund të predikosh barazinë e feve duke privilegjuar territorialisht njërën prej tyre?

Bektashizmi është pjesë e çmuar e trashëgimisë shqiptare dhe pikërisht për këtë arsye nuk ka nevojë për një shtet brenda Shqipërisë që të fitojë dinjitet apo rëndësi. Nga Naim Frashëri trashëguam një filozofi krejt të kundërt, besimin në shërbim të bashkimit kombëtar dhe jo territorin kombëtar në shërbim të një besimi. Mirëpo t’i japësh një komuniteti të vetëm sovranitet shtetëror nuk është nderim por është diskriminim flagrant, thyerje e paktit qytetar dhe minë me sahat për ekuilibrin mes besimeve në Shqipëri. Këtu duhet shtuar që problemi nuk mbaron te hektarët që do t’i jepen këtij mikroshteti por tek precedenti i rrezikshëm. Në çastin kur Republika pranon parimin se një bashkësi fetare mund të fitojë sovranitet territorial për shkak të identitetit të saj fetar, ajo ka krijuar precedentin që nesër nuk mund t’ua mohojë bashkësive të tjera. Pastaj, nëse Tirana krijon precedentin e mikroshtetit fetar mbi bazë komunitare, me çfarë të drejte morale e diplomatike do ta refuzojë Shqipëria apo Kosova kërkesën për eksterritorialitet dhe autonomi sovrane të Kishës Ortodokse Serbe mbi manastiret në Kosovë apo enklavat në rajon? Ky projekt para armatos drejtpërdrejt narrativat e fqinjëve për copëzim sovraniteti.

Në fund, tragjedia reale nuk qëndron vetëm te deliri i një pushteti që ka humbur çdo sens mase nga mungesa e llogaridhënies. Tragjedia e vërtetë është anestezia vrastare publike dhe kultura e pushtetit që i bën të mundura këto kapriço kryeneçe. Kur një shoqëri mësohet ta gëlltisë absurdin si lajm rutinë të radhës dhe ta diskutojë tjetërsimin e sovranitetit me indiferencë administrative, ai vend ka rënë moralisht në humnerë.

Dhe pikërisht këtu lind nevoja jetike për ta tharë këtë moçal politik e intelektual që po gëlltit çdo normë republikane evropiane. Kjo nuk arrihet me një rotacion banal karrigesh apo ndërrim emrash nëpër zyra, por me një zgjim të thellë të vetëdijes kombëtare dhe një thyerje radikale të mentalitetit nënshtrues që e kapërdin absurdin si normalitet. Europianizimi i vërtetë nuk është fasadë cirku me eksperimente feudale, por përqafim pa kompromis i shtetit modern të së drejtës, i institucioneve të papërkulshme dhe i kufijve të hekurt që një shoqëri e pjekur ia vendos çdo pushteti të dehur. Ka ardhur koha të ngulitet prerazi se shteti nuk është as plaçkë lufte e as çiflig privat i atij që fiton zgjedhjet.

JU REKOMANDOJMË

Miti i 80 votave: Pse nuk mund ta zhbëjmë kështu Gjykatën Speciale?

Miti i 80 votave: Pse nuk mund ta zhbëjmë kështu Gjykatën Speciale?
15/10/2026 - 14:59

Shkruan: Arianit Koci Kuvendi voton tërheqjen nga marrëveshja. BE-ja e kundërshton. Dhomat e Specializuara, të njohura si Gjykata Speciale, vazhdojnë punën. Të burgosurit mbeten në qeli. Arrestimet mund...

Më shumëDetails

Pse lëshoi pe Kurti?

Maliqi: Dialogu Kosovë – Serbi është “ngrirë”, por do të “shkrihet” së shpejti
12/10/2026 - 14:15

Ajo çka e ka brengosur posaçërisht Kurtin ka qenë zgjimi dhe angazhimi i brezit më të ri të votueseve në përkrahje të “Liria ka emër”, brohoritjet “UÇK! UÇK!”...

Më shumëDetails

Autokratët “demokratë”, Noli e dinte

Autokratët “demokratë”, Noli e dinte
10/10/2026 - 22:17

Sot, autokratët, janë kudo “normalë”. Ata të Ballkanit i sheh rëndom në takime me zyrtarët evropianë, ku raportojnë për ecurinë pozitive të Shqipërisë, Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë...

Më shumëDetails

Bardhyl Mahmuti: Vetëm të bashkuar mund të dalim fitimtarë!

Bardhyl Mahmuti: Vetëm të bashkuar mund të dalim fitimtarë!
08/10/2026 - 10:14

Shkruan Bardhyl Mahmuti Më 28 shtatorit 2026, 99 deputetë të Kuvendit të Kosovës miratuan deklaratën e përbashkët përmes së cilës shprehën qëndrimin e qartë se asnjë aktgjykim nuk...

Më shumëDetails

Tani Kosova duhet të synojë bashkimin me Shqipërinë

Tani Kosova duhet të synojë bashkimin me Shqipërinë
02/10/2026 - 15:30

Pas vendimit të Hagës, që preku në thelb një prej shtyllave mbi të cilat u ndërtua shteti i Kosovës, dhe pas viteve të bllokimit ndërkombëtar, sanksioneve pas Banjskës...

Më shumëDetails

EULEX-i nuk na njeh si shtet, por e mbështet Gjykatën që gjykon në emër të popullit tonë

Koci për ngërçin politik: Fajin e ka edhe Gjykata Kushtetuese – do ta vazhdojë protestën (VIDEO)
29/09/2026 - 15:02

Shkruan: Arianit Koci Zyrtarisht, EULEX-i është neutral ndaj statusit të Kosovës dhe vepron në kuadër të Rezolutës 1244. Në praktikë, nuk e afirmon Republikën e Kosovës si shtet....

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Skandal në “Uromedica” e Tomë Komanit: Zbulohet se ofronte ESWL (thyerjen e gurëve në veshka) pa licencim – Inspektorati ia ndaloi shërbimin

    Skandal në “Uromedica” e Tomë Komanit: Zbulohet se ofronte ESWL (thyerjen e gurëve në veshka) pa licencim – Inspektorati ia ndaloi shërbimin

    144 Shpërndaje
    Shpërndaje 58 Tweet 36
  • Skandal në Spitalin Amerikan 2 të Klodian Allajbeut: Nënës iu dorëzua foshnja e gabuar, zbulohet se infermierja ishte e palicencuar

    129 Shpërndaje
    Shpërndaje 52 Tweet 32
  • Ja çka thotë policia e shtetit për publikimet se kanë shkuar policë serbë në Tiranë

    91 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 23
  • Qytetari me fotografi të Kurtit në telefon i kërkon ndihmë, Time Kadriaj tregon si iu përgjigj

    90 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 23
  • Hashim Thaçi me mesazh nga Haga për Fidan Jupollin (Video)

    89 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 22

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë