Sot, autokratët, janë kudo “normalë”. Ata të Ballkanit i sheh rëndom në takime me zyrtarët evropianë, ku raportojnë për ecurinë pozitive të Shqipërisë, Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Federatës së Bosnje Hercegovinës dhe Kosovës. Syresh po mbyllin normalisht edhe kapitujt e integrimeve. E megjithatë, Serbia nuk jep përgjigje për Banjskën dhe Radoiçiq, Vuçiq bën show patetik me funeralin e Mladiq; Mali i Zi nuk jep adresime të zyrtarëve të saj për lidhjet me Rusinë e Serbinë dhe Mandiq, kryetari i Kuvendit, derdh lot për kriminelët serbë; Maqedonia e Veriut i quan shpesh të tepërt shqiptarët, veç paradokseve të ndryshme; Rama me një pushtet total në Shqipëri jep leksione demokracie dhe vizioni ndërkombëtar, madje edhe atje ku është kultivuar demokracia (!); Kurti sfidon hapur, sipas mënyrës së tij, sikur Kosova të jetë qendër e interesave; Dodik në Bosnjë, me mbështetjen e lobimeve amerikane, sfidon dhe vetë Dejtonin amerikan (!). Janë këta, pra, që mbeten sërish në skenë. Pyetja e thjeshtë e publikut është pse demokracia evidenton dhe shpërfaq këta individë autokratë?!
E vërteta është se ky nuk përbën më dhe vetëm fenomen Ballkanik, ndaj pas vitit 2010, kjo përbën thelbin e shumë punimeve të shkencës politike. Pse demokracitë perëndimorë, vendet e të cilave po e lenë të lirë trasenë integruese për Shqipërinë e Malin e Zi dhe që flasin më shumë se të gjithë për demokracinë, i tolerojnë “të fortët” e Ballkanit dhe jo vetëm ,por madje e normalizojnë autokracinë?
Artikujt politikë na ndihmojnë dhe ajo që kuptojmë të gjithë është se çfarëdo që shkruhet dhe ngrihet si shqetësim ikën në eter. Vendet e zhvilluara që proklamojnë demokracinë kanë nevojë për udhët tregtare, mineralet e rralla, naftën, gazin etj., dhe si garniturë në fund dhe standardet. Linjiti serb tashmë ua mbyll sytë perëndimorëve, ashtu si deri në fillim të dekadës së parë të shekullit XXI, Franca, Gjermani, Italia etj., kishin nevojë për gazin rus dhe libian dhe nuk flisnin fare për diktatorët respektivë. Sot, në skakierën e ngarkuar të gjeopolitikës, ndërsa një sërë vendesh evropiane po rregullojnë marrëdhëniet me Kinën, njëkohësisht bashkëpunojnë normal me vende problematike në Azi kundër saj. Ashtu, si jo rrallë kompanitë e njohura që prodhojnë Boing, Siemens, e shumë të tjera, lobojnë shumë në parlamentet e vendeve të tyre ndaj sanksioneve të vendeve të ndryshme. Ndërkohë që, Kosova e vogël u sanksionua dhe Serbia që bëri Banjskën nuk pësoi asnjë penalitet!
Shpesh kinse teoricienët ngecin dhe fajin e përcjellin te kaosi që prodhojnë vendet tona. Kanë një të drejtë. Shqipëria në vitin 1997 e shkatërroi shtetin; Kosova në fillim të këtij mijëvjeçari kaloi në histeri publike; Maqedonia e Veriut dhe Serbia me atë që bënë në vendet e tyre të trandin. Dhe, cila ishte përgjigja e kancelarive: Ktheheni në normalitet (!), kurse nënzë: “Më mirë një autokrat i fortë që shet diçka, sesa një demokraci kaotike që nuk e kontrollon dot as territorin e saj”. Berisha ishte në të dy anët por ishte i fortë derisa plasi përballja civile në vend; kurse ajo që pa bota në Irak (2003), Libi (2011), Siri (2011) i dha Perëndimit refugjatë pafund dhe përballje me xhihadizmin. Veç tollovisë islamike dhe frikën e terrorit. Me pak fjalë, autokrati është e keqja më e vogël sot në botën demokratike, kur vjen puna te status quo-ja.
Pushtetarët e sotëm të Ballkanit, vërtetë, mund të mos jenë direkt autokratë por kanë mësuar si pakkush sesi të sillen me demokracinë e shekullit XXI. Dinë të luajnë me lojëra, me sintaksë dhe madje edhe me sjellje demokratike. Tek e fundit bëhen kudo zgjedhje, kinse luftohet korrupsioni, por të gjithë e dinë se zgjedhjet tona në Shqipëri, Kosovë, Serbi, Bosnjë e Hercegovinë nuk ndryshojnë asgjë, ashtu si korrupsioni shtohet. Institucionet ndërkombëtare evidentojnë shumë gjëra por nuk i bëjnë dot gjë formave të regjimeve të sotme. OKB, OSBE, Këshilli i Evropës funksionojnë duke e përmbledhur një shtet ekuivalent me një votë, ndaj edhe pse e kuptojnë se çfarë ndodh në Ballkan nuk kanë fuqi të penalizojnë, përveç ndonjë shteti si Kosova. E kur mendon se në Këshillin e OKBsë për të Drejtat e Njeriut kanë qenë anëtarë edhe vende si Arabia Saudite, Kina, Eritrea, atëherë e qartëson më së miri paradoksin demokratik.
Konstatimi është i qartë se demokracitë sot po i ndihmojnë autokratët dhe liderët e fortë jo nga një lloj idealizimi i tyre por nga nevoja. Duket se është krijuar një lloj elite që bën panele, ku nuk mungojnë shpesh kryeministrat si Rama (e pëlqen dhe është i kuruar në të folurën në panele), Vucciq, Mickovski etj., që kanë krijuar një lloj shtrese, e cila bën bashkë politikanë, banka, kompani energjie, universitete, personazhe VIP që mëtojnë ndryshime, të cilat mund ti di vetëm Godoja. Kemi parë se çfarë ndodh në Davos pas ideve të përmbledhura prej tyre. Dhe, sistemi i sotëm demokratik vazhdon i toleron. Trandej boshnjaku i thjeshtë i Bosnjës, kur njerëzit e Dodik u pritën në Shtëpinë e Bardhë pak ditë para zgjedhjeve, kurse njerëzit e Trump lobuan për ta (Për fat, lideri amerikan ka reaguar, por tashmë është vonë).
Shqipëria jonë sa i përket parametrave demokratikë është para Serbisë dhe Federatës së Bosnjës dhe madje edhe para Maqedonisë së Veriut, por gjendja mbetet zhgënjyese. Në shkallën ndërkombëtare, Shqipëria vërtetë nuk klasifikohet si autokraci, por mbetet një lloj “regjimi hibrid” ose “demokraci me mangësi”. Të 3 indekset kryesore e demokracisë në 2024-2025 (Freedom House) e konsideron vendin tonë “Pjesërisht të lirë” — 68/100. Zgjedhje konkurruese, por me probleme klientelizmi dhe blerje vote; (Economist Democracy Index): Vendi 64 nga 167, kategoria “hybrid regime”;V-Dem (Suedi): “Demokraci elektorale”, jo liberale.
Platoni e shkruante në Antikitet se: “Kur demokracia e tepron me lirinë (‘çdokush bën ç’të dojë’), njerëzit lodhen nga kaosi dhe kërkojnë një ‘mbrojtës të popullit’”. Para syve po kuptojmë se ky mbrojtës, sapo merr pushtet, bëhet i plotfuqishëm dhe populli vazhdon dhe vetë e voton. Gati 100 vjet më parë Noli e kuptoi pamundësinë tonë kombëtare, ndaj do shprehej me shumë trishtim: “Unë doja Finlandën në 6 muaj, por Shqipëria ishte ende 1914”. Por, në argumentin tonë, shkon më shumë përgjigja e Nolit në 1921, kur ishte në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë si delegat: “Një Shqipëri e varfër dhe e bindur u leverdis më shumë se një Shqipëri demokratike që kërkon të drejta”. E kuptoi se Perëndimi nuk e do autokratin se e admiron, por se autokrati është më i lirë të firmosë: Ai jep koncesione nafte, baza detare, kufij, pa asnjë lloj mëdyshje. Një parlament i vërtetë do bënte pyetje, do e ndalonte shpesh, kurse në rastin tonë (ndodhi pak orë më parë), kryeministri i urdhëron hapur: O votoni njësoj, ose nuk jeni më pjesë këtu!
Dhe, në fund, sërish Noli: Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të vitit 1923 do e shprehte më thukët: “Ideali im është një Shqipëri ku fshatari voton pa pyetur beun”. Kurse, në fund të jetës, kur si shembuj i vinin më shumë referime biblike dhe përgjithësuese do të dorëzohej me një fjali: “Shqipëria sillet në një rreth vicioz”. (Homo Albanicus)














