Një mjek i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Leposaviq është arrestuar pasi nuk e ka lajmëruar Policinë e Kosovës për një grua që u gjet pa shenja jete e vdekjen e të cilës e kishte konfirmuar ai vetë.
Policia tha se me datën 09.09.2026, rreth orës 10:50, përmes rrugëve operative, ka pranuar informacion se në rrugën “Dositej Obradoviq” në Leposaviq dyshohej për një rast të vdekjes së dyshimtë.
“Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë kontaktuar me familjarët e viktimës, M.M., e lindur në vitin 1997, të cilët kanë deklaruar se viktimën e kishin gjetur pa shenja jete rreth orës 07:00”.
Për mjekun kujdestar, policia tha se kishte dalë në vendin e ngjarjes dhe kishte konstatuar vdekjen e viktimës, mirëpo për rastin Policia nuk ishte njoftuar nga stafi mjekësor.
“Gjatë veprimeve hetimore, hetuesit rajonalë kanë pranuar informacione se viktima kishte pasur probleme psikike dhe se kishte përdorur medikamente kundër depresionit. Lidhur me rrethanat e rastit dhe detyrimin për njoftimin e Policisë, është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit mjeku kujdestar i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Leposaviq, për veprën penale “Moslajmërim i veprës penale””.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me urdhër të prokurorit të shtetit, është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, me qëllim të përcaktimit të shkakut dhe rrethanave të vdekjes.
“Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri mbetet e përkushtuar që çdo rast të dyshimtë ta trajtojë me profesionalizëm dhe përgjegjësi të plotë, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale në bashkëpunim me organet kompetente”.













