Gjatë hulumtimit për institucionet shëndetësore private që operojnë në mënyrë të kundërligjshme, me shërbime të palicencuara dhe staf ilegal (të palicencuar), kemi hasur edhe në një ambulancë stomatologjike që është gjobitur nga Inspektorati Shëndetësor.
Veriu.info ka siguruar një vendim të Inspektoratit Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë, me të cilin ambulanca stomatologjike “Ar-Dent” me themelues Dr. Ardian Kozhani është gjobitur me 3 mijë euro për shkelje të Ligjit për Shëndetësi.
Në arsyetimin e vendimit të Inspektoratit Shëndetësor për gjobitjen e “Ar-Dent”, thuhet se aty në kohën e inspektimit janë gjetur doktorë të stomatologjisë e infermirë duke punuar pa lajmërim e licencim në Divizionin për Licencim dhe Akreditim të Ministrisë së Shëndetësisë.


“Në këtë institucion në kohën e inspektimit ofronin shërbime stomatologjike, Dr. Blerta Restelica, Doktor i Stomatologjisë, Dr. Egzon Murati, Doktor i Stomatologjisë dhe infermieret: Znj. Besarta Shabani, Bacelor i Shkencave në Infermieri, Znj. Marigona Konxheli, BSc. i shkencave në Infermieri, Znj. Marigona Magashi, Bsc. i Infermierisë, Znj. Erina Zejnullahu bashkëpunëtore profesionale e infermierisë, Znj. Ibadete Zeka Shabani, Asistente e Stomatologjisë, të cilët nuk janë të lajmëruar në DLA/MSH. Prezent ishte edhe Znj. Nermiane Dernjani – që menaxherja. Znj. Besarta Shabani verbalisht deklaroi se punon si recepsioniste”, thuhet në vendimin e Inspektoratit Shëndetësor të siguruar nga Veriu.info.
Tutje, në vendim thuhet se themeluesi Dr. Ardian Kozhani në DLA/MSh është lajmëruar si doktor i stomatologjisë, ndërsa në momentin e inspektimit është prezantuar licenca e tij si specialist i kirurgjisë orale.

Inspektorët shëndetësorë si gjetje tjetër në vendim kanë konstatuar edhe mosregjistrimin e pacientit I.Z. në regjistër.
Shkeljet ligjore nga “Ar-Dent” nuk përfundojnë me kaq, pasi që gjatë inspektimit është konstatuar se aty ofroheshin shërbime të implantologjisë pa licencim nga Divizioni për Licencim dhe Akreditim i Ministrisë së Shëndetësisë.


Në “Ar-Dent” të Ardian Kozhanit pa licencë është gjetur edhe Kabineti për Radiologji Stomatologjike me Ortopantomograf.
“Në kohën e inspektimit u gjetën fakte që në këtë IPSH ofrohen këto shërbime, të palajmëruara në DLA/MSH (shih fotot). Çmimorja me çmimet e implanteve, aparatura për vendosjen e implanteve (fiziovdispenseri), implantet si dhe shënime kompjuterike për pacientë të cilët kanë vendosur implante për pacienten me iniciale N.Y., e lindur më 10.04.1978. Në këtë IPSH është ofruar shërbimi i implantologjisë, i palajmëruar në Divizionin për Licencim dhe Akreditim të institucioneve private shëndetësore, të Ministrisë së Shëndetësisë, në kundërshtim me Nenin 42, paragrafi 1, të Ligjit Nr. 04/L-125 për Shëndetësi. Nga dokumentacioni shëndetësor gjatë kohës së inspektimit u vërtetua se institucioni ka ushtruar veprimtari shëndetësore të Radiologjisë Stomatologjike, në vazhdimësi nga viti deri më, pa licencë institucionale të vlefshme nga Divizioni për Licencim dhe Akreditim të institucioneve private shëndetësore, të Ministrisë së Shëndetësisë, në kundërshtim me Nenin 42, paragrafi 1 të Ligjit 04/L-125 për Shëndetësi”, thuhet në vendimin e Inspektoratit Shëndetësor për gjobitjen e “Ar-Dent” të Ardian Kozhani.
Veriu.info ka marrë edhe qëndrimin e “Ar Dent” për këtë vendim të Inspektoratit Shëndetësor, ku fillimisht na është thënë se do të kthejnë përgjigje përmes avokatit, e cila nuk ka ardhur asnjëherë.
“I shkrujta Avokatit tonë Taluant Hodaj këto ditë do të ju përgjigjet sepse është në Pushime…Ky rast është ne Janar ka mbi 6 muaj edhe nuk e ka pa se është urgjente kështu mu arsyetu…Si do çofte ditë ne vijim ju dërgojmë dhe e shifeni se kjo komplet ka qenë nje gabim teknik i sistemi digjital qe e perdor Ministria e Shëndetësisë deri te Premten 7 Gusht nese avokati nuk lirohet do te ju dergoj une komplet çdo Licensen me date qofte te Ambulancës Stomatologjike, Rengenit te Stomatologjis edhe Stafi i cili eshte i Licensuar minimumi 3 ose 4 vjet para se te shqiptohet kjo gjobë absurde! Do të bindeni! Edhe ju vetë me kete anomali të Inspektoriatit…Permes avokatit e konsideroj se eshte me profesionale!”, kishte thënë Liridon Kozhani nga “Ar-Dent” për Veriu.info.
LEXONI EDHE:













