Mikel Oyarzabal është njëri nga lojtarët më të nënvlerësuar në futbollin ndërkombëtar.
Megjithatë, sulmuesi spanjoll është njëri nga futbollistët më vendimtarë në ndeshjet e rëndësishme të Spanjës. Një lojtar përcaktues.
Oyarzabal është kapiten i Real Sociedadit, klubit të tij, ekipit ku e ka kaluar pothuajse të gjithë karrierën.
Ai është njëra nga të paktat figura të mëdha të futbollit botëror që kanë mbetur besnike ndaj një klubi të vetëm.
I lindur në Eibar, ai u transferua shumë i ri në San Sebastian dhe që atëherë nuk është larguar më nga brigjet e Kantabrisë.
Oyarzabal është një bask i vërtetë, por për shkak të rrethanave dhe aftësive të tij, ai e përfaqëson Spanjën dhe më të mirën e futbollit spanjoll.
Me fanellën e kombëtares, Oyarzabal e ka kaluar tashmë Emilio Butragueñon, Fernando Morientesin dhe Fernando Hierron në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave të Spanjës.
Ai ka qenë protagonist edhe në momentet më të rëndësishme. Shënoi nga pika e bardhë në një moment vendimtar ndaj Francës në gjysmëfinale, ndërsa më pas ishte pjesë e triumfit ndaj Argjentinës.
Përpara kësaj, ai e kishte shënuar golin vendimtar në finalen e Euro 2024 ndaj Anglisë.
Me numrin 47 të këpucëve, një diplomë universitare dhe pa menaxher, Oyarzabal është një lloj anti-heroi i futbollit modern.
Në fund të fundit, pse do t’i duhej një agjent kur gjithë karrierën e ka kaluar te një klub dhe është i aftë ta menaxhojë vetë jetën dhe karrierën e tij?
Ai mbetet njëri nga futbollistët më pak të vlerësuar dhe më pak të përfolur në botë.
A e keni parë ndonjëherë një fëmijë me fanellën e Oyarzabalit? Jo në Baski apo gjatë ndeshjeve të kombëtares spanjolle, por diku tjetër në botë? Pikërisht.
Megjithatë, Oyarzabal vazhdon të shënojë gola dhe të thyejë rekord pas rekordi.
Ai është një shembull për mënyrën e jetesës, futbollin, besnikërinë, vlerat dhe, mbi të gjitha, talentin. /Gazeta Express











