WhatsApp-i po përgatit ndryshime në pamjen e aplikacionit për Android, me fokus te shiriti i navigimit dhe mënyra se si do të shfaqet Meta AI.
Ndryshimet janë zbuluar në versionin beta 2.26.38.10 dhe aktualisht ndodhen në një fazë të hershme testimi. Për këtë arsye, dizajni që po shihet në versionet beta nuk konsiderohet ende përfundimtar.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me Meta AI. Sipas pamjeve të versioneve në testim, asistenti i inteligjencës artificiale mund të zhvendoset brenda shiritit të navigimit, duke mos qëndruar më si buton lundrues mbi ikonën për krijimin e një bisede të re.
Pozicioni i Meta AI, megjithatë, ende nuk është vendosur përfundimisht. Në pamjet e ndryshme të versionit beta, butoni shfaqet në pozicione të ndryshme, duke treguar se WhatsApp-i vazhdon të eksperimentojë me strukturën e re.
Ndryshime priten edhe në pamjen e shiritit të navigimit. Ai po testohet me një formë më ovale dhe me transparencë më të theksuar, një qasje që i ngjan dizajnit të përdorur tashmë nga WhatsApp-i në iOS.
Në Android, megjithatë, shiriti nuk pritet të jetë plotësisht transparent. WhatsApp-i po punon gjithashtu për përshtatjen e këtij dizajni me modalitetin e errët.
Për momentin, këto ndryshime janë të disponueshme vetëm për një pjesë të përdoruesve që marrin pjesë në programin beta. Kompania mund të ndryshojë ose edhe të heqë disa prej elementeve të testuara para lansimit publik.
Nëse zhvillimi vazhdon sipas planit, disenji i ri mund të arrijë te një numër më i madh përdoruesish në javët e ardhshme, por ende nuk ka një datë zyrtare për promovimin e tij.













